Marrëveshja e munguar LSI-PS
• Edmond HaxhinastoVendimi i LSI për t’i dhënë fund një koalicioni joekzistent me PS solli jo pak trazime, debate e reagime. Disa nxituan të vendosin gjoja një analogji në veprimin politik të LSI, atë që bëri përpara zgjedhjeve të korrikut 2005. Të tjerë filluan llogaritë se çfarë pasojash do të kishte ky veprim në mbështetjen elektorale të njërës apo tjetrës parti. Ajo që tërhoqi më pak vëmendjen e analizës mediatike ishte nëse koalicioni kishte funksionuar apo jo E realizuar në maj 2006, jo pa diskutime e kundërshti, platforma e bashkëpunimit të opozitës kishte realizuar njëherazi disa qëllime pragmatiste të momentit politik. Së pari, i kishte dhënë Ramës një kurorë lavdie se kjo marrëveshje ishte arritur gjatë drejtimit të PS prej tij. Në konsolidimin e lidershipit të tij, pas kontestimeve të vazhdueshme nga paraardhësi Nano, kjo nuk ishte e parëndësishme. Së dyti, dhe më e rëndësishmja, marrëveshja kish arritur të rigruponte radhët e opozitës për betejën e ardhshme elektorale të opozitës në zgjedhjet vendore, dhe veçanërisht, për “mëmën e gjithë betejave”, atë në Bashkinë e Tiranës.Projekti i parë i marrëveshjes, që iu dërgua për diskutim partive, kishte disa vërejtje thelbësore nga LSI, sidomos në drejtim të vlerësimit të shkaqeve që çuan në humbjen e të majtës në 2005-ën, si keqqeverisja socialiste, korrupsioni, monopolet e konflikti i interesave. LSI gjithashtu nuk mund të pranonte se shkaku i humbjes së të majtës ishte “moskordinimi total midis disa partive” apo “aksidenti matematik” siç e quante PS-ja, por ishte pikërisht “megadushku”, që kishte sjellë deformimin e plotë të vullnetit të zgjedhësve dhe që aq shumë e dëmtoi LSI-në.Ne gjykonim se angazhimi në një marrëveshje të tillë do të kishte si kusht, por edhe objektiv kryesor pikërisht reformën zgjedhore dhe eliminimin e hapësirave për “dushqe” të tjerë. Kështu, jo pa skepticizëm, kjo marrëveshje u nënshkrua nga LSI, e fundit ndër partitë opozitare.Ndonëse shumëkush është me dije përsa përmbante platforma e majit 2006 për bashkëpunimin e opozitës shqiptare, mendoj se përmendja e tyre do të lehtësonte qëllimin e këtij shkrimi. Kjo marrëveshje pra, kishte disa objektiva, ku më kryesori ishte “Qëndrimi i përbashkët opozitar… posaçërisht për Reformën Zgjedhore”. Më tej, “Qëndrimi i përbashkët në zgjedhjen e Presidentit të Republikës në vitin 2007”; “Fitore e opozitës në zgjedhjet e parakohshme të 2007, nëpërmjet një kodi të reformuar, që nuk cenon vullnetin e zgjedhësve”, si dhe “Qeverisje vendore të suksesshme dhe qeverisje kombëtare me një program të përbashkët”. Platforma kishte edhe një qëllim tjetër ambicioz që duhet “të kapërcente gjithë ndryshimet programore” midis partive dhe të ngrinte mekanizmat konsultative për të realizuar “koordinimet e qëndrimeve të përbashkëta opozitare për qendrën e majtë”, të konstituonte tryezë kryetarësh, forume këshillimore në nivel grupi parlamentar, sekretarësh të përgjithshëm e nënkryetarë, përfaqësues politikë dhe ekspertë. Pra, nga sa duket, niveli i koordinimit, kohezionit dhe integrimit të partive opozitare do të ishte shumë i lartë, aq sa edhe “meraqet” aq të shpeshta të ndonjë partie për Federatën e majtë do të ishin pa kuptim. Sigurisht, nëse kjo marrëveshje do të kishte funksionuar.Vlerësimi i funksionimit të kësaj marrëveshje mund të bëhet nga dy këndvështrime: nga sa realizoi objektivat politike dhe sa i përdori instrumentet e parashikuara. Rezultati zgjedhor i 18 shkurtit 2007, ndonëse pozitiv në qendrat kryesore të vendit, ofroi një mbledhje matematike të votave që kishte secila parti e të majtës, duke konfirmuar se LSI ishte përcaktuese në fitore. Partitë opozitare vërtet kishin dalë me një sigël në fushatë, por nuk ishte bërë asnjë përpjekje që të arrihej një nivel edhe minimal koordinimi në aspektin e programit dhe premtimeve që i ofroheshin elektoratit. Nga mekanizmat institucionale të parashikuara, kish funksionuar jo pa vështirësi, tryeza e kryetarëve, e cila ishte marrë kryesisht me çështjet e infrastrukturës zgjedhore, datën e shtyrë të zgjedhjeve apo përdorimin e dokumenteve të identifikimit, çështje që kishin qenë vendimtare deri edhe për pjesëmarrjen e PS në zgjedhje.Rezultati i zgjedhjeve vendore, në vend që të shërbente si nxitje për të rritur më tej kohezionin e partive opozitare në realizimin e objektivave të tyre politike, u duk sikur e futi këtë marrëveshje në një ngërç, i cili nisi me rezistencën nga PS për administrimin e përbashkët të fitores së përbashkët, nëpërmjet integrimit të përfaqësuesve të LSI dhe partive të tjera në pushtetin vendor ku ajo kish fituar.Zgjedhja e presidentit në korrik 2007, ishte një moment tjetër që zbuloi se opozita nuk kishte mundur të arrinte kohezionin që pretendonin ambiciet e sanksionuara në marrëveshjen e saj të bashkëpunimit. PS, jo vetëm që nuk mundi të shërbente si qendra e rëndesës së krijimit të një qëndrimi unik opozitar, por u tregua mjaft konfuze dhe ambivalente, duke rënë pre e kontradiktave të brendshme të saj, dhe duke i hequr opozitës një mundësi për të shënuar një fitore institucionale ndaj mazhorancës, që me zgjedhjen e Presidentit shënoi uzurpimin e një kështjelle të fortë të pavarësisë së institucioneve. Çështja e programit politik të opozitës ka qenë gjithashtu një tjetër detyrë e pabërë e saj. Programi nga PS-ja është trajtuar si një fustan që do ta bënte edhe një herë nuse atë. Hartimi i tij, ndonëse i premtuar që në kongresin e pranverës në 2007-ën, për të qenë gati në vjeshtë, akoma edhe sot, sipas lidershipit të PS është në shkrim e sipër. Për të janë angazhuar si komisionet e politikave në PS, Fondacioni Qemal Stafa, apo edhe ndonjë OJF, si Lëvizja Progresiste. Janë ftuar mjaft ekspertë të huaj, ndonëse nuk ka qenë e qartë nëse këta kanë si qëllim hartimin, programin themelor politik të PS, atë që njihet si programi i vlerave, apo programin qeverisës për zgjedhjet e vitit 2009. Në funksion të këtij programi, veçanërisht për njohjen e realitetit në vend, u realizua edhe turi i kryetarit të PS “Dialog me Shqipërinë”. Ndërkohë që LSI e ka tashmë programin e saj, i cili, ndonëse krejt i ri, azhornohet çdo ditë me kërkesat e zhvillimeve specifike të vendit dhe me tendencat më të fundit të socialdemokracisë evropiane, siç është edhe kapitulli për “Një Evropë të Re Sociale”.Ajo që nuk ndodhi asnjëherë, ndonëse ishte një pikë themelore e marrëveshjes së majit 2006, ishte ftesa ndaj partive të tjera opozitare, për t’u bërë pjesëmarrëse në hartimin e një programi të përbashkët qeverisës, duke u integruar veçoritë specifike programore të tyre. Edhe ky objektiv, mbeti një dëshirë në letër e marrëveshjes. Por për LSI, çështja më thelbësore e marrëveshjes ka qenë reforma zgjedhore. Së bashku me realizimin e një opozite të fortë ndaj qeverisjes së dështuar të Berishës, ajo ka përbërë një element qendror të gjithë veprimit politik të saj. Ndonëse e kërkuar në mënyrë permanente nga LSI dhe e paralajmëruar se do të shtyhej për t’u realizuar me shpejtësi e pa seriozitet në momentet e fundit, reforma zgjedhore hyri në axhendën politike vetëm kur realizimi i saj u përcaktua si kusht për marrjen e ftesës për në NATO. Përgjegjësia e PS, si bashkë-kryetare e komisionit parlamentar te reformës, ishte mëse evidente, si në aspektin procedural të funksionimit të komisionit, ashtu edhe në atë të substancës së reformës, modelit zgjedhor të përzgjedhur. Në një bashkëpunim më se evident dhe të konfirmuar jo vetëm nga goja e bashkëkryetarëve PD-PS të Komisionit, por edhe nga produkti zgjedhor që ata prodhuan, sistemi zgjedhor spanjoll është më e pakta, injorim i plotë i marrëveshjes opozitare, dhe më e shumta, një atentat tjetër ndaj zgjidhjes së krizës së përfaqësimit të shqiptarëve në parlament, një dështim i plotë i eliminimit të megadushkut të vitit 2005. Duke favorizuar në mënyrë të padrejtë dy partitë e vjetra, PD-PS, në dëm të LSI dhe partive të tjera opozitare, kjo përzgjedhje i jep goditjen e fundit marrëveshjes së bashkëpunimit midis partive të opozitës.Por përtej dispozitave e objektivave të marrëveshjes, mungesa e luajalitetit të lidershipit të PS ndaj LSI ka qenë tipar i vazhdueshëm i veprimtarisë së saj politike. Çdo iniciativë politike e LSI është parë me xhelozi nga “partnerja” PS dhe në vend të angazhimit për ta mbështetur, janë bërë përpjekje maksimale, deri në censurim mediatik, për të ulur profilin idenditar të LSI. Kështu ndodhi edhe për reformën në drejtësi. Pas shprehjes së vullnetit politik nga gjithë politika, LSI paraqiti një platformë shumë konkrete për këtë reformë. PS, në vend të mbështetjes politike të kësaj iniciative bëri pas dy ditësh një plagjiaturë të mirëfilltë të platformës së LSI.Çështja e identitetit politik të LSI duket se është një “merak” i madh për lidershipin e PS. Në vend të bashkëpunimit transparent politik, për krijimin e sinergjive politike duke integruar identitetet e secilit, lidershipi i PS preferoi të stisë krijesa të tjera politike si G99, që mendojnë se do të zvogëlojë hapësirën politike të LSI, duke bërë edhe plagjiatura qesharake të koncepteve dhe ndërmarrjeve politike të LSI, siç është garantimi i të drejtës së votës për emigrantët, në vendet ku jetojnë.Në mungesë të këtij bashkëpunimi politik me LSI, në vend të koordinimit të veprimit opozitar, nga PS është preferuar koordinimi me mazhorancën, duke ulur ndjeshëm kështu efektivitetin opozitar të së majtës.Duke e parë këtë vendim strategjik të PS si shumë të dëmshëm për LSI dhe gjithë të majtën në përgjithësi, LSI ishte e detyruar në lëvizjen e saj për t’ju kthyer një koalicioni të ri, me gjithë ato forca që nuk ndjehen akoma të përfaqësuara e të respektuara në koalicionin e vjetër me lidershipin e PS, me bindjen dhe realizimin se baza mbështetëse për LSI dhe të majtën do të rritet, ashtu siç ndihet konkretisht çdo ditë. LSI do të realizojë kështu një konkurrencë të ndershme brenda të majtës, jo vetëm për të rritur nervin opozitar kundër qeverisjes në degradim të plotë të Berishës, por për të krijuar një inkurajim të ri për fitoren e të majtës në zgjedhjet e 2009-ës.