Mbështetja ime për misionin që solli paqen
Ishin të dëbuarit shqiptarë, në kampet Neprosteno dhe Cegrane, të cilët e bënë këtë udhëtim të gjatë në Ballkan kaq të vlefshëm. Do të doja t’i ndaj përshtypjet e mia për ta, me ju
26 Maj 1999
Çadrat strehojnë 30.000 të shpërngulur nga Kosova, në një anë të zhveshur malore të një lugine të rrethuar prej majave të zbardhura nga dëbora: Era e keqe e mbeturinave dhe mizerjes nga njëra anë; kaq shumë energji jetësore dhe dashuri nga ana tjetër; pamja e syve të errët të një djali, kur gjyshja e tij përshkruan një masakër të kryer nga forcat serbe në një fshat në Kosovë; mezipritja plot emocione e një djaloshi hollak për të mësuar nga vizitorët amerikanë, të cilët nuk janë në gjendje t’i përgjigjen pyetjes së tij: “Kur do të kthehemi në shtëpinë tonë?”; tmerri dhe shpresa e të shpërngulurve shqiptarë që hasa në udhëtimin tim në kufirin me Kosovën, nuk do të më shqiten edhe pas lamtumirës që iu dhashë atyre njerëzve dhe do të jetojnë bashkë me frikën e përzier me nderimin ndaj dinjitetit të tyre njerëzor dhe përcaktimit tim për të bërë gjithçka që do të mundem për ta. E vizitova Maqedoninë nga data 12 -14 maj si mike e “AmeriCares”, një organizatë jofitimprurëse, e cila ka operacione ndihmash humanitare në Maqedoni, Shqipëri dhe rreth 120 vende tjera në tërë botën. Në Shkup, u takova me ambasadorin amerikan dhe ministrin maqedonas të Shëndetësisë. Këto takime më dhanë pamjen e plotë të gjendjes së vështirë të refugjatëve dhe të asaj çfarë po ndodhte atje.
Ishin të dëbuarit shqiptarë, në kampet Neprosteno dhe Cegrane, të cilët e bënë këtë udhëtim të gjatë në Ballkan kaq të vlefshëm. Do të doja t’i ndaj përshtypjet e mia për ta, me ju. Vetëm kur pashë, në një vështrim shastisës, mijëra e mijëra tenda me një të bardhë të venitur që i visheshin faqes së malit për të formuar kampin e Cagrenes, fillova të kuptoja shkallën tragjike të krizës së të dëbuarve kosovarë.
Dhjetë ditë përpara se të arrija, kampi Cagrane kishte 2.000 banorë. Në ato dhjetë ditë, 30.000 refugjatë mbushën kodrat përreth pas përzënies masive të ndërmarrë nga forcat serbe. Një familje e mrekullueshme kosovare që takova nga një fshat i quajtur Gajre, më tregoi sesi trupat serbe iua kishin djegur shtëpinë; më treguan për 27 burra dhe djem të vrarë e të hedhur në pusin e ujit, duke krijuar një varr masiv në fshatin fqinj, Kotlina; më treguan sesi kishin jetuar në mes drurëve të pyllit për tri javë; sesi i kishin nxjerrë nga shtëpia forcat serbe, duke i detyruar ta linin vendin e tyre; sesi rojet maqedonase të kufirit iu kishin marrë edhe kacidhen e fundit për t’i lejuar të futeshin në Maqedoni.
Në Cegrane, 21 anëtarë të kësaj familjeje jetonin në një çadër të vetme. Por qeshja e sinqertë e vajzës së tyre më të madhe e ngrohu zemrën time; stoicizmi dhe qëndresa e babait të saj përballë fatkeqësisë së familjes së tij më frymëzoi pa masë; krenaria e dukshme e gjyshes së saj për atë familje - një krenari që qëndronte larg nga era e keqe dhe vuajtjet e Cegranes - nuk kishte ndonjë ndryshim nga krenaria e gjysheve që unë kam njohur në Amerikë.
Shumë amerikanë nuk e dinë, se shumica e të dëbuarve, të cilët gjenden në Maqedoni e që llogaritet të jenë 240.000, jetojnë jo si në kampin e Neprostenos. Pa bujarinë e njerëzve që ata as që i kanë njohur ndonjëherë para luftës, Maqedonia do të ishte ballafaquar me një krize humanitare të një përmase shumë më të madhe. Shoferi ynë i taksisë nga qyteti e Tetovës, i cili po transportonte 4 anëtarë të një familjeje që kishte ikur nga Kosova, i kishte shpenzuar dhjetë ditët e fundit të luftës duke mbajtur të shpërngulur pa asnjë shpërblim që nga kufiri ose kampet për te shtëpitë e shqiptarëve në Maqedoni. Si ai, shumë shqiptarë tjerë të Maqedonisë përdorin kursimet e veta ose shesin makinat dhe gjëra të tjera personale për t’i ndihmuar të dëbuarit që rrinë me ta. Përveç kësaj, për të përmirësuar kushtet e jetës e të shëndetit, në kampet e të dëbuarve, ne duhet të punojmë, që të ndihmojmë shumë e shumë shqiptarë të Maqedonisë e të Shqipërisë, të cilët kujdesen për kosovarët vetëm me shpenzimet e veta.
Amerikanët janë përfshirë në debat, nëse presidenti duhet ta lërë hapur opsionin e dërgimit të trupave tokësore në Serbi, me qëllim që të fitohet lufta. Duket qartë se një vendosje e tillë e trupave do të ketë kundërshtime në SHBA. Është shumë më pak e kundërshtueshme kjo ide për ata, me të cilët unë fola në Maqedoni e që kanë parë shkallën e vuajtjeve njerëzore të shkaktuara si rrjedhojë e luftës në Kosovë. Të dëbuarit e dinë se ne jemi duke luftuar për t’i ndihmuar që ata të kthehen në shtëpitë e tyre dhe atë që trupat tokësore mund të kërkohen për të arritur atë qëllim. Ata nuk i fajësojnë bombardimet e NATO-s për gjendjen e rëndë që përjetojnë; ata fajësojnë forcat serbe, të cilat kanë brutalizuar familjet e tyre, djegur shtëpitë, duke i përzënë prej vendit të tyre. Zyrtarët perëndimore në Maqedoni mbështesin më shumë opsionin e trupave tokësore se sa do ta kisha menduar nga justifikimet e administratës se ato nuk nevojiten. Botuesi i një gazete, që duhet të ketë qenë më e madhja në Kosovë, më tha, kur e takova në Shkup, se trupat tokësore do të jenë të domosdoshme jo vetëm për të fituar luftën, por edhe për të lehtësuar gjendjen në kampet e të dëbuarve dhe për të parandaluar dëmet ndaj NATO-s, meqë trupat serbe kanë pasur muaj të tërë kohë për t’i fortifikuar pozicionet e tyre mbrojtëse.
Dëshiroj ta mbyll këtë shkrim, duke njohur punën e vështirë të bërë prej punonjësve të përkushtuar të ndihmave në Maqedoni dhe Shqipëri. Unë do të doja gjithashtu të shpreh mirënjohjen time ndaj shërbimit dhe sakrificave të forcave amerikane, zhurmën e aeroplanëve të të cilëve e dëgjuam mbi kokë në netët që qëndronim në zonën e sigurt, në një hotel. Me mbështetjen tonë, misioni ushtarak i NATO-s dhe fushata e ndihmave humanitare të komunitetit ndërkombëtar, do të sjellë paqen dhe rimëkëmbjen e Kosovës. Të dëbuarit që takova në Neprosteno dhe në Cegrane nuk meritojnë asgjë më pak se kaq.
* Cindy McCain është bashkëshortja e John McCain, kandidat i Partisë Republikane për president të SHBA