E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privim lirie!

Vetëm sot? Jo. Kontradikta mes lirisë së vetëdijes individuale dhe politikës pushtetare është aq e moçme sa vetë lindja e kësaj të fundit. Është realitet teza sesa më autotariste të jetë politika, aq më të rrudhura janë e do të jenë hapësirat e lirisë individuale. Demokracia e lashtë e kohës së Perikliut të Athinës p.sh, që ndërtoi Panteonin e Akropolit e vepra të tjera; që njohu personalitete historikë si Sokratin, Fidjan, Sofokliun, Euripidin, Aristofanin… u kritikua ashpër nga filozofia sokratike në fund, kur politikbërësit nxitën agresivitetin e dhunën deri në luftëra siç ishte ajo e Peloponezit….. Po kush u dhunua e u dëmtua, kujt iu rrudhën hapësirat e lirisë? Demosit, mendimit liridashës e demokratik. Martirë të lirisë u bënë sokratët, volterët….që guxuan të kërkojnë një politikë, një mendim e një moral të ri që t´i përshtatej kohës; ata që shtruan nevojën e “ndërtimit të autostradave” për te e vërteta.

Ndërgjegja e demosit ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër vrazhdësisë, agresivitetit, politikës së “fortë “që buron luftëra e merr jetë njerëzish. Apologjia e Sokratit ka qenë e është mesazh për sot e për ditët që do të vinë. Ajo ka qenë kundër luftërave të shkaktuara nga politikat e “forta”, të egra e agresive në shekuj, që natyrisht vijnë më të modifikuara në ditët tona. “Unë –tha Sokrati, para gjyqtarëve mëkatarë- po shkoj i dënuar prej jush me vdekje,por mos harroni se jeni damkosur nga e vërteta me turp e fajësi të përjetshme…gjëja më e mirë e ndoshta më e thjeshtë, është të mos shtypni të tjerët…”.Sa e largët në kohë kjo apologji aq edhe e afërt është kur ballafaqohen me realitetin e sotëm (natyrisht në segmente te veçanta të tij). Nuk janë të damkosur me turp nga e vërteta ata që për përfitimet maksimale nuk përfillën fare jetë njerëzish, siç janë ata që përpiu deti, “filizat” që u “korrën” nga hapja e depove të armëve në 97-ën; në Gërdec e gjetkë? Nuk është imorale dhe e turpshme para të vërtetës ajo politikë që e kthyen njeriun në një “bombë” vrasëse? Nuk do të dalin në gjyq para të vërtetës putinët që me politikat e tyre agresive e unitariste i shkaktuanprerje jete, tmerr e dëme të tjera të pa llogaritshme popullit liridashës gjeorgjian vetëm se vetëdija e tij u pri nga Perëndimi? Kjo, se agresiviteti, “politika e forcës”, mosvënia në peshore e jetës së tjetrit dhe prerja në mes e saj, dhuna e deri lufta… nuk janë në anën e peshores së arsyes, por në atë të instinkteve agresive e të injorancës. Se pa injorancë vështirë se do të kishim kupën e helmit që i mori jetën Sokratit; nuk do të kishim as armatën e gozhduesve të Mençurisë. Dhe në vend të helmit, Krishti duhej të provonte gozhdët e të mërmëriste: “Fali o Zot se s´dinë ç´bëjnë”.

Po pse qeveria “rrudh” hapësirat e lirisë?

Ka shkaqe që burojnë pasoja e deri dukuri të reja. Ato janë të shumta, por ka prej tyre që kanë buruar zhvillim të dyanshëm. Progresimi i vetëdijes e nevoja e saj për hapësira të reja kanë vënë në lëvizje mendimin politik, filozofik, sociologjik, estetik, etik, letrar…..për të reformuar sistemin politik e qeverisës. Pa mundur në këto rreshta të bëj histori, por nocioni i qeverisjes së kufizuar u formësua gjatë shekujve dhe shtysën fillestare ia dhanë luftërat fetare që pasuan Reformën Evropiane të shek XVI-të. Reforma që solli të drejtëne zgjedhjes së fesë nga çdo etnitet (protestanë, katolike…..),pra lirinë e ndërgjegjes fetare; fuqizoi e i hapi rrugë prirjes më gjithëpërfshirëse për liri personale, të drejtën e gjithkujt për të zgjedhur bindjet dhe mënyrëne saj/tij të jetesës. Kjo Reformë –“mullë” që me të drejtë është nominuar Evropiane, pavarësisht nga pengesat e dhunimet diktatoriale, sidomos ajo enveriane, ka bërë udhë e është bërë qytetare në ditët tona. Sot nga mysliman mund të kthehesh në ortodoks, katolik, jahovan e anasjelltas. Por një kthim i tillë s´duhet bërë mekanikisht e i detyruar nga rrethana ekonomike, siç ka ndodhur në mjaft raste me emigrantët shqiptarë në Greqi e gjetkë; gjë që kemi dhunim të lirisë së ndërgjegjes fetare e deri të asaj kombëtare.

Shteti, me kufizimet që i kanë bërë shekujt duke arritur deri atje saqë rrotacioni i pushtetit nuk është rrotacion shteti, kur vepron në hapësirat e veta bëhet shtysë për progresimin e lirisë së ndërgjegjes. Shoqëria pluraliste nuk befasohet kur dëgjon nga individë të veçantë që nuk i besojnë thirrjes që i bën një engjëll Abrahamit për të bërë kurban djalin e vet; që Bibla është thjesht një referencë morale; që ata që nuk besojnë te Zoti i pret ferri….Për teistët n.q.s Zoti nuk do të ekzistonte, nuk do të kishim përballë nesh vlera ose rregulla të caktuara të cilat do të legjitimonin veprimet dhe sjelljet tona; ndërsa për ateistët njeriu i çliruar nga Zoti është njeriu i lirë, është vetë liria. I solla këto pak radhë për të thënë se në një shoqëri pluraliste ku ka hapësira liria toleranca, transparenca, dija, shkenca, kultura…. ka vend edhe për teizëm edhe për ateizëm. Mohimi i njërit apo i tjetrit në thelb është shfaqje e intolerancës dhe e dhunimit të lirisë së ndërgjegjes.

Është njeriu plotësisht i lirë?

Jo. Se edhe në shoqëritë më demokratike liria është e kufizuar. Njeriu është aq i lirë, ka aq të drejta sa të mos cenojë lirinë dhe të drejtat e tjetrit. Këta kufij individit ia përcakton shteti sidomos ai ligjor. Ndaj duhet konceptuar drejt e qartë se liria individuale është në raport e në marrëdhënie me ligjet dhe rregullat që vë shteti e shoqëria. E them këtë se nga disa ka prirje për shkelje ligjesh e për t’i hapur udhë anarkizmit e vetëgjyqësisë. “Liria” e Unit që pret jetën e tjetrit, që shkel liritë e gruas e të fëmijëve, siç po ndodh në mjaft raste te ne degjeneron në anarki. Dhe anarki veç të tjerash do të thotë liri e subkoshiencës, pasionit, instiktit e “ mpirjes” deri në errësim te aparatit konceptual. “E vrava se m’u errësua logjika, s´pashë se ç’bëra” janë fjalët e një incesti që vrau të dashurën e tij…

Njerëzit që vënë në lëvizje arsyen, logjikën, dijet e shkencën nuk besojnë te fuqia e pasionit. Ata nuk mendojnë asnjëherë se një pasion i bukur është si një përrua shkatërrimtar që e shtyn fatalisht njeriun drejt disa veprimeve të caktuara dhe për pasojë është i shfajësuar. Njeriu është vetë përgjegjës për pasionin e instiktin e tij. Ndaj ai duhet tëpërgjigjet para ligjeve, që siç thotë me të drejtë Volteri, janë krijuar për të mbrojtur qytetarët sesa për t´i trembur ata. Në këtë kuptim ligji duhet parë si “fortesë” e lirisë dhe e pavarësisë së individit.

Liria e subkoshiencës e të instiktit pa “fre” e shtyn individin të bjerë ndesh me ligjin, me shtetin; t´i mjegullohen vlerat e t´i rrudhen aftësitë zgjedhëse, për pasojë, të mos arrijë dot në kufijtë e konceptit të lirisë e të vërtetës. Kjo, se punën e “zezë”, paratë e “pista”, tregtimin e mallrave të ndaluara, prostitucionin e grave dhe të fëmijëve….i burojnë “përrenjtë” e instiktit e të pasionit. Liria në anën e “jashtme” të saj s´njeh pabarazi e privilegje. Në ekonominë e tregut, p.sh., prodhuesit janë të barabartë e duhet t’u binden ligjeve të tij, ndryshe s´mund të bëhet fjalë për liri ekonomike e liri tregu. Shkeljet e rregullave e ligjeve, privilegjet që hasen në tendera, zëvendësimi i meritokratëve me militantë në administratë ... në thelb janë dhunim i rëndë që i bëhet lirisë së ndërgjegjes individuale nga shteti. Ndërsa kur e ndien veten në praktikë të barabartë me tjetrin para ligjit atëherë funksionon natyrshëm edhe shteti i së drejtës e ndjehet më mirë “frymëmarrja e lirisë individuale”. E thënë troç ne ende nuk kemi arritur plotësisht te shteti i së drejtës e te një frymëmarrje ritmike lirie. Kjo se ende nuk funksionojnë plotësisht katër pushtetet që formojnë shtetin e së drejtës. Prirjet që vihen re nga një pushtet për t´i rrudhur funksionet pushtetit tjetër, sidomos gjyqësorit, janë në thelb edhe dhunim i lirisë së ndërgjegjes. Në rastse do të funksiononin ritmikisht të katër pushtetet e do të vepronin të pavarur secili në hapësirat e veta nuk do të kishim një partiokraci me “gjethedushku” e një lidership kaq të madh në numër. Ne na duhet sot një lidership që të ketë “frikë” nga shteti, ligji dhe e vërteta. Kjo, se liri e pakufizuar e Unit dhunon lirinë e Tjetrit; gjë që fajësohet edhe politika. Dhe kur themi politika këtu është fjala për politikanët ekstremistë, egocentristë që mbi gjithçka vënë interesat e Unit; që me egoizmin e tyre të shfrenuar vetëshpallen lider të një grupimi e kryeministra të së ardhmes….duke mjegulluar kështu vlerat demokratike e lirinë e ndërgjegjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›