E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prizren: Kundërshtohet formimi i Këshillit për Trashëgimi Kulturore

Opozita prizrenase dhe shoqëria civile, shprehen kundër formimit të Këshillit për Trashëgiminë Kulturore, që në parim është miratuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Prizrenit. Sipas tyre, nuk është e qartë si do të funksionojë një organ i tillë, ndërsa vazhdojnë të thonë se funksionimi i këtij Këshilli instalon një sistem paralel të qeverisjes në komunë.

Asgjë nuk do të ndryshojë në marrjen e një leje ndërtimi në zonën historike të qytetit të Prizrenit, por kësaj leje do t’i shtohet edhe aprovimi që do t’i kërkohet Këshillit për Trashëgiminë Kulturore, që në parim, formimi i një Këshilli të tillë është miratuar nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.

Kështu u shpreh Drejtori i Urabanizmit Sadik Paçarizi, i cili sqaron se ligji për zonën historike të Prizrenit, që është miratuar nga Parlamenti i Kosovës në gusht të vitit të kaluar e obligon formimin e një Këshilli të tillë.

Por, opozita prizrenase, as nuk e ka miratuar e as kundërshtuar formimin e Këshillit për Trashigiminë Kulturore në Prizren. Kryetari i grupit parlamentarë të LDK-së, Haziz Hodaj, thotë se është skeptik në funksionimin e këtij Këshilli.

Pjesë e këtij Këshilli, parashikohet që të jenë edhe përfaqësues nga shoqëria civile, por përfaqësuesit e OJQ-së, “Ec më ndryshe”, thonë se nuk do të marrin pjesë në formimin e këtij Këshilli.

Sipas Drejtorit të Urbanizmit, Këshilli do t’i ketë 7 anëtarë, kryesisht përfaqësues të bashkësive fetare, ata të shoqërisë civile dhe do të jetë monitorues i punës së Drejtorisë së Urbanizmit për zonën e mbrojtur.

Kuvendi i Komunës së Prizrenit i ka dhënë dritën e gjelbër formimit të Këshillit për Trashëgiminë Kulturore, i cili pas kompletimit të tërësishëm detyrë primare do e ketë monitorimin e planit të konservimit në zonën e parë historike të Prizrenit./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›