E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prizren, përfundon pjesa e parë e minisamitit

Pasi kanë përfunduar mëngjesin së bashku, të katër presidentët, ai i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i Shqipërisë, Bamir Topi, i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kanë filluar takimet bilaterale.

Fillimisht janë takuar presidenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, si dhe paralelisht është mbajtur takimi tjetër ndërmjet presidentit të Maqedonisë dhe atij të Malit të Zi.

Në formë rotacioni, takime të tilla janë zhvilluar deri në mesditë. Më pas, presidentët kanë vazhduar për një drekë të përbashkët pune.

Në orët e pasdites pritet të mbahet një takim i përbashkët ndërmjet katër presidentëve, pas të cilit ata do të dalin para mediave për të prezantuar rezultatet dhe mesazhet politike që kanë samitet e tilla.

Kosova, si shteti më i ri në rajon dhe Evropë, ka vendosur tashmë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadash me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ndërkaq, me Malin e Zi ende nuk është vendosur një nivel i tillë i marrëdhënieve.

Sidoqoftë, pas njohjes së komunitetit malazez si pakicë në Kosovë, vendosja e marrëdhënieve në nivel ambasadash me Podgoricën shihet vetëm si çështje kohe.

Ky minisamit është vlerësuar se do të shtyjë përpara procesin e bashkëpunimit në rajon, si dhe do të promovojë paqen dhe stabilitetin e kësaj pjese të Evropës.

Ndërkaq, thirrja e këtij minisamiti nga presidenti Fatmir Sejdiu, nga politika kosovare dhe analistët është cilësuar si mesazh i Kosovës, përmes së cilit shprehet gatishmëria për bashkëpunim me të gjithë fqinjët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›