E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Vujanoviç: Intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe

Të dy Presidentët e vendeve fqinje shprehën vullnetin e tyre politik për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, duke vënë në dukje nevojën për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, fuqizimin e sistemit të komunikacionit, lehtësimin e mëtejshëm të qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve, për investime në hapësirat dhe infrastrukturën që mundëson përdorimin e frytshëm të resurseve turistike në të dyja vendet,etj.

“Serioziteti i një angazhimi të tillë buron nga politika konstruktive si dhe nga vizioni ynë i qartë për të kontribuar për një rajon të stabilizuar, të zhvilluar ekonomikisht, në prosperitet dhe harmoni mes popujsh”- u shpreh
Presidenti Topi.

Më tej, Presidenti i Shqipërisë, vlerësoi organizimin e këtij takimi në Prizren si ‘’me shumë interes edhe për partnerët tanë strategjik뒒 dhe, edhe një herë nënvizoi domosdoshmërinë e përfshirjes së shtetit të ri të Kosovës në forume dhe nisma rajonale, ç’ka do të ishte një kontribut real për të ardhmen e rajonit tonë në konsolidimin e një imazhi të ri të zhvillimit të paqtë e të qëndrueshëm si dhe të prosperitetit mbi bazën e vlerave humane e demokratike.

Nga ana e tij, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, duke e vlerësuar këtë takim si të rëndësishëm e të frytshëm për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, vuri në dukje se u duhet kushtuar më tepër rëndësi projekteve të përbashkëta në koordinim edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

Në këtë pikë, të dy Presidentët pasi vlerësuan lart marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira institucionale dypalëshe, theksuan nevojën e tërheqjes së më shumë fondeve nga Bashkimi Evropian për përmirësimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta si ai për Liqenin e Shkodrës dhe Lumit Buna, të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Namuna apo të tjera për zhvillimin e turizmit ku një rol të madh do të luante edhe liberalizimi i regjimit të vizave për të gjithë qytetarët e rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›