Prizreni “injoron” pankartat gjigante me një votim të qetë
Procesi i votimit në Komunën e Prizrenit u zhvillua i qetë dhe pa probleme për t’u shënuar. Në të gjitha qendrat e kësaj komune u vërejt interesimi i lartë i zgjedhësve, ndërsa në tërësi vendvotimet u karakterizuan nga korrektësia e komisionerëve, paanësia e vëzhguesve, si dhe qartësia e vetë zgjedhësve, të cilët kanë shprehur të pandikuar verdiktin e tyre. Në Komunën e Prizrenit numërohen rreth 150 mijë votues të shpërndarë në 60 qendra votimi. Gara zhvillohet me subjekte politike dhe koalicione, të cilat kanë shpallur para zgjedhësve listat e kandidatëve që janë unike për të gjithë territorin e Kosovës pa ndarje zonale, duke treguar edhe numrin përkatës të çdo kandidati në listë. Qendrat e votimeve janë vendosur kryesisht në shkollat e qytetit, si në shkollën e mesme “Gjon Buzuku”, në atë “Naim Frashëri”, në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” etj., ku votimi është kryer në disa klasa me komisione të caktuara, ndërsa në hyrje shërbente edhe një zyrë informacioni për zgjedhësit e painformuar apo që nuk e gjejnë emrin në listën e caktuar. Komisionerë dhe zgjedhës dukeshin të kënaqur që po bënin vetë një palë zgjedhje dhe të vetmet probleme që janë raportuar nga komisionerët ka qenë mbarimi i bojës së shenjëlënësit në gishtin e dorës apo i baterisë së pajisjes etj. Në Prizren ka edhe një numër partish të pakicave, si turke, ashkalie, rome etj., që kanë edhe zgjedhës, ndërsa disa parti serbe nuk kanë thuajse asnjë votues, të paktën në qytet. Kështu që mes banorëve shqiptarë të tjerëve në Prizren nuk ka probleme.
Sfidat e qeverisë që del nga zgjedhjetZgjedhjet e djeshme shihen nga votuesit si shumë të rëndësishme, të paktën në raport me zgjedhjet e kaluara, të cilat pavarësisht notave pozitive, janë parë më shumë si një produkt i ndërkombëtarëve se sa i qeverisë së Kosovës. Këto të tanishmet janë të parat pas shpalljes së pavarësisë dhe i ka organizuar qeveria e Prishtinës pa u ndihmuar nga të huajt. “Le t’i bëjmë vetë zgjedhjet dhe të provojmë sa të aftë jemi të bëjmë shtetin”, tha një banor i lagjes Ortakoll, duke përmendur faktin se tani që Kosova po i bën e vetme zgjedhjet ka mbetur e vetme edhe në integrimet europiane. Një tjetër zgjedhës tha se këto zgjedhje duhet të prodhojnë një qeveri që të jetë e aftë të përballojë korrupsionin, ta mund atë dhe jo të përfshihet prej korrupsionit. “Korrupsioni, kjo është sfida e madhe sot për qeverinë që del nga këto zgjedhje”, tha ai duke folur këtu për papunësinë më të lartë në Europë, për mjerimin ekonomik të mijëra familjeve e kështu me radhë. “Nuk ka perspektivë nëse nuk luftohet korrupsioni, a i sheh si lëvizin pushtetarët me makina luksi, nuk janë fituar me djersë ato...”, shtoi me nënqeshje.
Pankartomania gjiganteZgjedhësve në Prizren dhe ndoshta edhe në qytete të tjera, u ka rënë në sy një përdorim i tepruar i reklamave me billborde dhe parulla të ndriçuara, me pankarta dhe afishe relativisht të kushtueshme që kanë mbushur gati të gjitha fasadat dhe bordurat e rrugëve, lulishtet, muret e objekteve muzeore dhe shtyllat elektrike. Duke e vëzhguar në mënyrë jo shumë të thelluar këtë pankartomani të realizuar në dhjetë ditë, që gati tronditën Kosovën, mëson se zgjedhësit edhe më herët gjatë ditëve të fushatës kanë shprehur qëndrimin e tyre duke grisur një afishe për të vendosur një tjetër apo duke mbivendosur thirrje për të votuar subjektin e tyre, me foto të kandidatëve e kështu me radhë. Fotografi gjigante të udhëheqësve janë vendosur kudo, deri edhe në muret e vjetra të kështjellës së Prizrenit.