E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitjet e dheut, probleme në qarkun e Elbasan

ELBASAN- Rrëshqitja e dherave ka krijuar situata mjaft problematike në qarkun e Elbasanit, ku vetëm në dy muaj dhjetra banesa janë shkatërruar. Burime nga prefektura e Elbasanit bëjnë me dije se vetëm në dy muaj janë shkatërruar rreth 80 banesa.

Rëshqitja dhe fundosja e tokës është një fenomen që ka prekur më së shumti rrethet Librazhd, Gramsh e Elbasan dhe më pak atë të Peqinit. Në rrethin e Gramshit janë shkatërruar disa banesa në fshatrat e komunave Sult, Poroçan Kukur e Lenie. Ndërsa në rrethin e Elbasanit më të prekura nga fenomeni i rrëshqitjes dhe fundosjes së tokës janë fshatrat e komunave Labinot Fushë, Labinot Mal, Shushicë, Tregan, e Gjinar. Por si rezultat i rifillimit të reshjeve situata është rënduar edhe më tepër në rrethin e Librazhdit ku janë shkatërruar dhjetra shtëpi dhe qindra hektarë tokë bujqësore.

Vetë banorët i kanë kërkuar qeverisë që të bëjë të pamundurën për të zbutur pasojat e shkaktura nga kjo katastrofë natyrore në lagjen Brazhda të komunës Qendër në rrethin e Librazhdit në të cilën janë shkatërruar deri tani 16 banesa.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›