E Martë, 3 Nëntor 2026

Pr.ligji për materialin mbjellës dhe shumëzuesin bimor, Kote: Zgjidh ngërçin mes disa institucioneve

TIRANË, 10 mars /ATSH/ Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural, Dhimitër Kote prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Europiane projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”.

Kote u shpreh se, ky ligj do të zgjidhë ngërçin mes disa institucioneve.

“Ligji i materialit mbjellës është një nga të 3 ligjet, të cilët do të funksionojnë në simbiozë me njëri-tjetrin, që ishte ligji për produktet plehëruese, ligji për produktet e mbrojtjes së bimëve, që ishte faza prodhim, tregtim dhe regjistrim”, tha ai.

Pra, shtoi Kote, “që të gjitha këto hallka, të cilat ishin në ligjin paraardhës, nuk funksiononin disa institucione dhe krijonin ngërçe të vogla dhe si e tillë për ta zgjidhur këtë situatë ne propozuam këtë ndërhyrje”.

Kote u shpreh se, “ky do të jetë një ligj që nuk do të jetë përfundimtari, por nuk mund të funksionojë kjo gjë më me VKM sepse ka disa hallka dhe institucione të cilat në ligjin e mëparshëm ishin me VKM dhe bllokonin institucionet”.

“Ne e paraqesim këtë ligj sot për arsye se zgjidhen shumë hallka në disa institucione të cilat kanë disa ngërçe dhe probleme”, tha ai.

Ky ligj, u shpreh Kote, “përcakton që me këtë punë do të merren ato biznese të cilat janë të regjistruara, të cilat janë kompetente. Se çdo gjë fillon tek fara dhe fidani dhe pastaj janë plehrat dhe janë produktet e mbrojtjes së bimëve”.

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku pyeti zv/ministrin Kote nëse ky pr/ligj ndryshon gjë për fermerët nga pikëpamja e detyrimeve.

Sepse, tha ajo, “është përafruar thuajse 40% e ligjit bazë dhe thuhet që është përcaktuar se aplikimi për regjistrim kryhet në sistemin online  dhe në platformën qeveritare E-Albania. Janë specifikuar kushtet për disa nga varietetet që regjistrohen në katalogun kombëtar. Janë përcaktuar roli i Komisionit të varieteteve”.

“Në thelb ndryshojnë disa standarde për t’i përafruar me standardet e BE-së. Çfarë ndikimi ka në kosto? Çfarë ndikimi ka në akses? E bën më të vështirë apo më të lehtë? E përmirëson apo jo cilësinë e produktit? Paguan më shumë apo më pak fermeri shqiptar?”, pyeti Tabaku.

Kote u shpreh se, “kjo nuk ndikon, nuk ka asnjë kosto, nuk krijon asnjë problem, madje garanton prodhimin, garanton sigurinë e gjithë produktit dhe rrit gjurmueshmërinë e produktit nga fara deri tek konsumatori për prodhimin”. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›