E Premte, 6 Nëntor 2026

Pr/ligji për privatizimin e pronës shtetërore, rrëzohet kërkesa e Çupit për heqjen nga rendi i ditës

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e deputetes Dhurata Çupi në Kuvend për të tërhequr nga rendi i ditës projektligjin për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore.

Deputetja demokrate, Dhurata Çupi kërkoi tërheqjen e pr/ligjit, duke thënë se është abuziv dhe klientelist.

“Ju kërkoj ta tërhiqni këtë pr/ligj, është antikushtetues, i porositur që do të marrë edhe ato pak prona shtetërore që i kanë mbetur shtetit, pronat shtetërore do t’i jepen privatit për kulla. Pr/ligj që i jepen klientëve të qeverisë që kanë marrë në bregdet pronat me ligjin për investimet strategjike, është ligj antikushtetues, shkatërron vendin. Vetëm Kryeministria do mbetet nesër, se atë nuk e lëshon, çdo godinë shtetërore do t’i jepet privatit”, tha Çupi.

Deputeti socialist Eduard Shalsi, njëherazi kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, iu përgjigj kësaj kërkese, duke argumentuar se në rastin më të mirë opozita është e painformuar, në rastin më të keq kërkon të dezinformojë.

“Unë jam iniciuesi i këtij propozimi. ‘Çdo godinë shtetëror e do t’i jepet privatit’. Jua thashë dhe atë ditë, në rastin më të mirë jeni e painformuar, në rastin më të keq me ligësi kërkoni të dezinformoni. Pse nuk qëndruar në komisionin e ligjeve teksa jepja argumente? Pse nuk dëgjove rastet kur qeveria e kaluar kishte shkëmbyer prona me privatin? Synimet janë të qarta, po sanksionojmë një të drejtë që është në Kodin Civil, asgjë më shumë, asgjë më pak”, tha Shalsi.

Propozimi i opozitës për ta hequr nga rendi i ditës nuk u miratua, pasi vetëm 5 deputetë opozitarë votuan pro heqjes nga rendi i ditës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›