E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilaver Bengasi: Në '83-in arrestova shitëset e Tiranës

Rrëfimi i ish-kreut të hetuesisë së Tiranës dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në momentet më kritike të vendit, kalon në një tjetër subjekt të rrëfimit të tij për publikun e gjerë. Ai hedh dritë mbi një tjetër ngjarje jo pak të bujshme të ndodhur në vitet '83 në kryeqytet. Kushdo e ka parasysh atë situatë dramatike kur u morën nën hetim të gjithë drejtuesit e lartë të tregtisë dhe kryesisht shitësit dhe magazinierët e saj. Përfundimi i tij ishte 10 shitës të arrestuar ndërkohë që mbetën në tentativë drejtori dhe nëndrejtori i ndërmarrjes të vënë nën penalitet nga vetë Dilaver Bengasi. Kjo, për faktin e thjeshtë se pati një ndërhyrje të fuqishme nga ish-sekretari i parë i asaj kohe për Tiranën Foto Çami. Por si nisi ngjarja e bujshme e vitit '93, kur në qytetin e Tiranës u bë arrestimi masiv i shitësve të dyqaneve dhe magazinave të veshmbathjeve. Kush ishte informacioni që kishte tronditur hetuesinë e Tiranës, pas të cilit u morën të pandehur drejtori dhe nëndrejtori i ndërmarrjes së tregtisë industriale të saj. Irritimi i Sekretarit të Parë Foto Çami, për procedurat sekrete të nisura ndaj Dashnor Tares e Dashamir Rrapit dhe shpërthimi i tij mbi kreun e hetuesisë Dilaver Bengasi për veprimet arbitrare pa miratim të Partisë. Guximi i Bengasit ku i kundërveproi Foto Çamit, duke ju betuar se do të çonte në pranga të gjithë njerëzit e nomenklaturës politike të Komitetit të Partisë të përfshirë në allishverishet e veshmbathjeve të grave. Reagimi i menjëhershëm i Drejtorit të Punëve të Brendshme të Policisë së Tiranës Zef Loka, kur u ndesh në zyrën e Sekretarit të Parë, me konfliktin ekstrem të kryehetuesit të kryeqytetit, Dilaver Bengasi. Gjithçka do të ndiqet në intervistën ekskluzive të dhënë nga vetë zoti Bengasi.

(Vijon nga numri i kaluar)

Më folët zoti Dilaver në fillim të kësaj bisede, se ka qenë edhe një proces tjetër i bujshëm, i cili ka ndodhur në qendër të kryeqytetit dhe që përveçse ka përfshirë një numër të lartë të shitësve të njësive tregtare, ka pasur ndikim edhe te njerëzit e nomenklaturës më të lartë të shtetit të atëhershëm. Si është e vërteta?
Ishte viti 1983, kur Kontroll Revizioni i Komitetit Ekzekutiv i Rrethit të Tiranës dërgoi pranë hetuesisë një denoncim të jashtëzakonshëm që bënte fjalë për abuzime masive në ndërmarrjen e famshme të tregtisë industriale. Sipas denoncimit sapo kishte përfunduar një kontroll i rëndësishëm, i bërë në mënyrën më të plotë mbi të gjitha njësitë e ndërmarrjes tregtare industriale të Tiranës, duke përfshirë dyqanet, magazinat, mapot etj.
Dhe kishin gjetur probleme?
Kishin gjetur probleme shumë të rënda. Në radhë të parë, ata kishin gjetur deficite të mëdha. Këto deficite fillonin nga dyqanet, pra njësitë ku funksiononin shitëset e ndërmarrjes dhe deri te magazinat e mëdha ku ishin përqendruar mallrat dhe që shpërndaheshin nëpër njësi të tregtimit të quajtura në gjuhën popullore dyqane apo mapo.
Çfarë bëtë ju?
Hetuesia e Tiranës me të marrë denoncimin filloi menjëherë lëvizjen e saj profesionale. Pra filloi veprimin sekret të proceduarave hetimore.
Çfarë detyre keni pasur juve në atë kohë?
Ishte viti 1983. Unë kam qenë Kryetar i Hetuesisë së Tiranës.
Dhe si vijuat?
Kemi bërë një hetim të plotë jo vetëm sekret, por edhe legal. Rezultatet dhe informacionet ishin shokuese. Konstatuam dhe vërtetuam saktësisht se shitësit dhe magazinierët kryenin veprime të paligjshme. Ato, nisur nga shënimet që merrnin nga drejtori dhe nëndrejtori për të favorizuar njerëz të ndryshëm, madje kryesisht të nomenklaturës në lidhje me ndërrim teshash apo mjetesh elektro-shtëpiake abuzonin edhe vetë me këtë mënyrë.
Si abuzonin?
Nga hetimi u vërtetua se drejtori Dashnor Tare dhe nëndrejtori Dashamir Rrapi u jepnin porosi shitësve dhe magazinierëve të pranonin në njësitë e tyre persona të preferuar për të ndërruar veshmbathjet. Kuptohet se këtu flitet për veshmbathje të të njëjtit lloj që kishte magazina.
Për shembull?
Kishe një bluze, një xhaketë apo një triko, këmishë apo çfarë të them unë etj, që të ishte vjetruar? Kjo ndërrohej me të re. Pra ndërroheshin pantallona, bluza deve, xhaketa, këmisha e deri te të brendshme grash kishte arritur puna.
Por atëherë këto lloj artikujsh kishin një vlerë të madhe. Pra, këto ndërrime bëheshin me këto shënime të drejtorit apo nëndrejtorit. Pasi merrnin në dorë shënimet për njerëzit që porositej favorizimi, shitëset dhe magazinierët vepronin, pra ua ndërronin. Kështu mendohej se ishin si copë njëlloj me inventarin. Mirëpo kontroll revizionimi nuk ua njohu për inventar se ishin të përdorura dhe kështu që dolën mangët. Por këtu kemi parasysh se ky deficit ishte rritur shumë për faktin se këta shitës dhe magazinierë, duke përfituar nga veprimet e drejtorit dhe nëndrejtorit, abuzonin edhe vetë më shumë, madje ishin kthyer këto veprime në normalitet.
Vetëm veshmbathje?
Në veshmbathje ishin kryesisht abuzimet, por nuk ishin të pakta rastet se këto ndërrime ishin edhe në mjete shumë të shtrenjta elektro-shtëpiake për kohën.
Konkretisht?
Nga elektro-shtëpiakët ishin ndërruar shumë televizorë, frigorifer, tenxhere me presion e deri te furnela elektrike skartabanja etj, etj. Nuk mbaroheshin listat e artikujve që ishin marrë dhe merreshin të favorizuar nga këto shënime. Pastaj fillonte rrethi i miqve farefisit dhe shoqëria e shitësve që edhe këta nuk kishte të mbaruar.
Juve, nuk vërtetuat njerëzit që ishin favorizuar, por vetëm shënimet dhe mënyrën e abuzimit apo jo?
Ne verifikuam gjithçka. Verifikuam shënimet. Përse ka qenë ai shënim dhe kush e ka përdorur, ndërkohë që dihej se kush e kishte lëshuar. Ndërkaq, shitësit kishin vepruar edhe pa shënime. Por neve kemi hetuar me një vëmendje të jashtëzakonshme dhe kemi konstatuar çdo veprim.
Kush ishin këta njerëz që favorizoheshin, pra nga vinin këto shtresa?
Kryesisht njerëzit që favorizoheshin ishin nga radhët e nomenklaturës politike të rrethit, që do të thotë se ishin nga drejtuesit e Komitetit të Partisë së Tiranës. Por këta persona ishin edhe nga strukturat kyçe të shtetit, që do të thotë që ishin njerëz të dikastereve qendrore si ministritë apo institucionet e tjera kryesore.
Konkluzioni?
Hetimi që bëmë ne quhej hetim paraprak, derisa vendosnim gishtin mbi fajtorët e mundshëm. Kështu, si bëmë hetimet e plota paraprake, dhe si morëm dëshmitë e mjaftueshme, bëmë arrestimin e 10 shitëseve të kryeqytetit të cilët shisnin në njësitë kryesore të tij.
10 shitës?
Po. 10 shitës janë arrestuar në mënyrë të menjëhershme. Këta u arrestuan të parët se mbi këta ka qenë deficiti më i madh që mund të gjendej. Pra këta kishin një rrjedhje të madhe të urdhrave të dhënë nga shefat për favorizime të njerëzve të privilegjuar. Pra, këta kishin abuzuar më shumë vetë me njerëzit e tyre nisur nga abuzimet që bënin shefat e tyre.
Po me shefat u morët?
Këtu është më e bukura se ata u morën menjëherë në mbrojtje nga nomenklatura më e lartë partiake e rrethit dhe kryesisht nga sekretari i parë Foto Çami.
Si ndodhi?
Por ne, si arrestuam shitësit. Hapëm proçes edhe për drejtorin Dashnor Tare dhe nëndrejtorin Dashamir Rrapi.
Pra i morët të pandehur, apo hapët procedurë hetimi?
I morëm menjëherë të pandehur se proceduara e hetimit ishte ndërmarrë që në fillim.
Akuza?
"Shpërdorim në mënyrë klasike e detyrës shtetërore duke abuzuar mbi pronën e shtetit". Dhe fill pas kësaj, jam thërritur në zyrën e sekretarit të parë Foto Çami që ishte në atë kohë.
Arsyeja?
Shkoj menjëherë aty dhe në zyrën e Foto Çamit gjej edhe Drejtorin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës Zef Lokën.
Sa hyra, Foto Çami mu drejtua me një kapadaillëk karakteristik dhe me një ton sikur do të më vinte përpara, madje hiqej edhe si shumë i shqetësuar, por që unë e kisha mbledhur mendjen që kur kisha pranuar të punoja në detyrë të tillë pikërisht në hetuesinë e Tiranës. Ai siç të thashë, as pa më dhënë dorën, dhe madje pa më kthyer dhe përshëndetjen mu drejtua:
- Ju shoku Dilaver paski marrë të pandehur në hetimet tuaja drejtorin dhe nëndrejtorin e ndërmarrjes tregtare industriale të Tiranës?
- Po, - ia ktheva unë.
- Po si është e mundur more shoku Dilaver që guxoni t'i bëni këto veprime pa vënë në dijeni Komitetin e Partisë së Rrethit? Si është e mundur që ju bëni veprime të kësaj natyre dhe ne nuk dimë gjë? Kush mendoni se jeni? Apo mos mendoni se mund të dilni mbi Partinë?
Pra kuptohej qartë se ai donte ta politizonte problemin dhe për të më bërë presion më futi në veprimtari të dënueshme. Pikërisht në këtë çast nuk mbajta më sepse nga akuzues, ai donte të më kthente në të akuzuar. Këtë nuk mund ta duroja sepse për gjithçka ua kisha për besë shpatullave të mia.
Kështu që iu ktheva duke ju përgjigjur:
- Shoku Foto. Për veprime të theksuara anti-ligjore aq më shumë që flitet se pasojat e këtyre veprimeve kanë sjellë dëmtime dhe shpërdorime skandaloze në ekonomi, siç është rasti konkret që ju vetë po më thoni se kjo akuzë i drejtohet Drejtorit dhe zëvendësdrejtorit që kanë bërë shpërdorim të madh ekonomik si dhe shpërdorim në detyrë. Në këtë rast shoku Sekretar i Parë, unë nuk pyes askënd për veprimet e mia ligjore të cilat janë në kompetencën time dhe vetëm time. Duhet të dini se për zbatimin e ligjit unë nuk pyes njeri.
Në këtë çast kur pa tensionimin tim të drejtë që kishte ardhur pas "kallëpeve" politike ku donte të më fuste për të më bërë presion Foto Çami, ndërhyri Drejtori i Policisë së Tiranës Zef Loka i cili siç të thashë ishte i pranishëm në këtë debat.
- "Shoku Foto,- i tha ai- Dilaveri është i njohur në hetuesi dhe është njeri që zbaton vetëm ligjin".
Ndikoi kjo ndërhyrje e Lokës në këtë moment?
Loka, ashtu si dhe unë, bëri shumë sqarime për Foto Çamin me qëllim që ai të kuptonte detyrimin tim ligjor dhe të tërhiqej nga nevriku i tij i madh në këtë pikë. Por unë pas kësaj, kur pashë që me lloj lloj arsyetimesh dhe ndërhyrjesh për të sqaruar situatën e krijuar në tregti, nuk po bindej por po vijonte i lëkundur, i thash:
- Shoku Foto, ndër të preferuarit e drejtorit dhe të nëndrejtorit të ndërmarrjes tregtare industriale të kryeqytetit, për të bërë abuzime në materialet e humbura, janë njerëz të njohur apo që kanë lidhje me figura të rëndësishme të Komitetit të Partisë së Tiranës.
Mirë po ai disi shumë i çarmatosur me këtë deklaratë që i bëra por gjithsesi pa luajtur kurrsesi nga mendimi i vet mu kthye sërish duke më thënë:
- Si ka mundësi që ju nuk më keni njoftuar mua më parë për një fenomen të tillë?
- Shpejt do të marrësh informacionin e plotë se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur por ju lutemi shumë na lini të hetojmë ngjarjen, - i thash me të njetën vendosmëri dhe unë.
Reagoi përsëri pas kësaj që i thatë?
Pas kësaj nuk folëm më, madje edhe ai shumë i çarmatosur këtë herë nga vendosmëria ime, bëri lëvizje të gjymtyrëve për të lënë të kuptoja se nuk kishte më çfarë të thoshte duke nënkuptuar se isha i lirë për ty larguar. Kështu unë vijova në punën time për të ndjekur procesin e hetimit.
Dhe rezultati?
Për pak kohë, unë largohem nga Policia dhe emërohem Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së shtetit.
Kur ishte periudha që u emëruat zëvendës drejtor?
Ka qenë shtator i vitit 1983. Pak kohë si bëmë arrestimet.
Juve ju kaluan në polici pas kësaj bisede me Foto Çamin. Thua të ketë lidhje debate dhe vendosmëria e juaj për të mos hequr dorë nga marrja si të pandehur e drejtorit dhe nëndrejtorit të ndërmarrjes së tregtisë së Tiranës?
Nuk e di dhe nuk besoj se është kjo arsyeja që unë kalova në polici, madje në një detyrë kaq të lartë por po them një tjetër detaj. Menjëherë pas ikjes sime nga hetuesia, ka shkuar në hetuesi për të ndërhyrë direkt Faik Çino i cili ka ndikuar që të pushohej akuza ndaj dy drejtuesve të tregtisë që ju fola më lartë. Pra të drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit.
Pra ja arritën?
Po sigurisht që ja arritën, por edhe unë nuk e kam lënë pa ja përmendur Foto Çamit madje në një ambient shumë serioz dhe zyrtar.
Ku dhe si ka ndodhur?
Ka qenë viti 1985. Unë në atë kohë isha drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Republikës siç quhej atëherë.
Na njoftojnë se bëhej një mbledhje e zgjeruar në Komitetin Qendror të Partisë me pjesëmarrjen e Kryetarëve të Komiteteve Ekzekutive të Rretheve, të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Pro-kurorit të Përgjithshëm dhe unë siç të thashë si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.
Tema e kësaj mbledhje ishte "Krimi në ekonomi në shkallë vendi".
Nga kush drejtohej?
Ishin të pranishëm tre anëtarë të Byrosë Politike që zunë vend në podium. Simon Stefani që ishte Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë, Foto Çami pra që siç thashë ishte anëtar i Byrosë Politike dhe Hekuran Isait që ishte Ministër i Brendshëm dhe njëkohësisht anëtar i Byrosë Politike.
Sa filloi mbledhja, e mori fjalën Kryetari i Gjykatës së Lartë Aranit Çela, i cili mbajti fjalën kryesore apo raportin e Takimit.
Pas tij, pati diskutime nga Kryetarët e Komiteteve Ekzekutive të Rretheve të ndryshme.
Po ju folët?
Pikërisht këtë do ju thoja se unë e dija situatën e krimit ekonomik në shkallë vendi në pëllëmbë të dorës, pasi kisha strukturë të posaçme për këtë qëllim brenda policisë. Por prisja edhe rastin t'i kundërveproja Foto Çamit.
Çfarë strukture kishit brenda policisë që ju drejtonit?
Ishte dega përkatëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e njohur si "Dega e Mbrojtjes së Ekonomisë Socialiste". Në këtë drejtori shërbenin njerëz me aftësi profesionale të një shkalle shumë të lartë. Ishin oficerë të kualifikuar me arsim të lartë si ekonomistë dhe juristë. Ata ishin ndërkohë dhe shumë të përgjegjshëm. Nëpërmjet tyre unë i njihja shumë mirë situatën e krimit ekonomik në bazë vendi prandaj edhe nuk isha dakord fare me ato budallallëqe që thonin Kryetarët e Komiteteve të rretheve ashtu siç e kisha ngërç që t'ja përplasja Foto Çamit edhe faktin e pushimit të çështjes ndaj dy drejtuesve të tregtisë pasi u largova unë nga hetuesia.
Dhe çfarë thatë saktësisht?
Sa mora fjalën dhe bëra një hyrje shumë të shkurtër theksova:
- Këta drejtuesit e rretheve që thoni ju shok të Byrosë Politike dhe veçanërisht juve shoku Simon, si Sekretar i komitetit Qendror të Partisë që jeni, i kanë varur ujkut mëlçitë në qafë. Konkretisht në ndërmarrjen "X" në Lushnjë është një i dënuar me 7 vjet burg për vjedhje. Por, pas burgut çuditërisht ai është bërë prapë shef llogarie dhe vijon të jetë i tillë. Në ndërmarrjen "Y" të Durrësit, shefi i Llogarisë është dënuar me 5 vjet burg për vjedhje dhe çuditërisht si në rastin e Lushnjës edhe ia vijon të jetë Shef Llogarie.
Ju i kishit të plota dhe të sakta këto?
Po. I kisha shumë të sakta se si ju thashë unë, kisha informacion. Prandaj edhe kisha një saktësi për të gjithë rrethet dhe ndërmarrjet e tyre se ku kishin çaluar punët. Pra, siç përmenda dy ndërmarrjet që të theksova ashtu veprova në fjalën time duke folur konkretisht edhe me rrethet e tjera.
Pati ndikim apo reagim kjo ekspoze e guximshme që bëtë?
Menjëherë pas kësaj ndërhyri Foto Çami duke thënë:
- Nga i nxore ti këto se Gjykata e Lartë në raportin që u lexua nga shoku Aranit nuk na i bëri prezente? A janë të vërteta këto që ti the këtu?
Unë atëherë duke parë rastin që do të veproja edhe ndaj tij për faktin që të thash më lartë iu ktheva:
- Shoku Foto. Këto janë shumë të vërteta se unë, siç e dini kam një sektor shumë profesionist dhe shumë të përgjegjshëm që ndjek krimin ekonomik në shkallë vendi. Pra këto janë të vërteta ashtu siç është i vërtetë rasti i pushimit të çështjes penale ndaj drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të ndërmarrjes tregtare të Tiranës. Atyre siç e mbani mend mirë ju pushua akuza me porosinë e posaçme tuajën në një kohë që ata u duheshin dhënë gjyqit.
Çfarë tha ai në këtë sulm të paimagjinuar tuajin?
Në këtë rast, ndërhyri Simon Stefani duke thënë:
- Këto që tha këtu drejtori i policisë, këto duhej të kishim trajtuar në raportin që u mbajt nga Gjykata e Lartë.
Ndërkohë që ktheu sytë për t'ju drejtuar Aranit Çelës vijoi:
- Përse shoku Aranit, nuk i ke shënuar në raport këto që u thanë nga drejtori?
Araniti pas kësaj i tha:
- Drejtori i Policisë i di më mirë se ne këto punë se siç tha dhe vetë, ai ka sektorin e posaçëm dhe policia merret me luftën ndaj këtij fenomeni. Ne kemi bërë gabim që s'kemi bashkëpunuar me të se e shikoj që është shumë i domosdoshëm dhe i nevojshëm bashkëpunimi. Pra shoku Simon, unë duhet të pranoj se është përgjegjësia jonë që s'kemi bashkëpunuar. Duhet ta rishikoj me patjetër këtë bashkëpunim për të ardhmen.
Mos po e tepronit që ndërhynit në këtë mënyrë para njerëzve të fuqishëm të shtetit të atëhershëm siç ishte Foto Çami?
Këto që po të flas kanë qenë probleme të vazhdueshme të hetuesisë dhe policisë ku unë kam punuar jo pak. Në kushtet dhe mënyrat si punonim ne, duhej të kundërviheshim përditë shumë strukturave deri tek ato më hierarkiket. Por megjithatë, do të them një të vërtet që duhet të besohet dhe të pranohet nga kushdo, e vërteta është se me gjithë këto pengesa që na dinin në çdo moment dhe në çdo ditë, ne kemi zbatuar vetëm ligjin, pa pyetur për asgjë dhe askund prandaj edhe jemi të qetë se s'kemi pasur askund tendenca personale apo për interesa të ngushta. Kemi bërë detyrën dhe kemi qenë të ndërgjegjshëm se na takonte ta kryenim rigorozisht atë. Kjo ka qenë motoja jonë dhe asnjëherë tendenca dhe dashakeqësia te askush dhe asnjë herë nuk jemi nisur në shënjestra për hakmarrje.
(Vijon nesër)

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›