E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet e “Familjes Berisha” si probleme të Shqipërisë

Nga Mero Baze

Në një shkrim investigativ në kanalin më të shikuar amerikan, Fox News, gazetari Richard Behar, fitues i shumë çmimeve prestigjioze, ka hetuar skandalin e shkaktuar nga dhëndri i kryeministrit, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili ka keqpërdorur fondin prej 39 milionë dollarësh të këtij projekti për interesa që Banka Botërore po i quan si korruptive. Raporti, i cili cilësohet më i rëndi në historinë e gjashtëdhjetë viteve të fundit në Bankën Botërore, rreket të hetojë, përse bordi i Bankës Botërore dhe paneli i investigimit është keqinformuar dhe penguar në hetime dhe se cili ka përfituar nga kjo në Shqipëri.

Ky zhvillim i ri rreth skandalit që ka në qendër dhëndrin e kryeministrit, Sali Berisha, dhe që mund të prishë raportet e Bankës Botërore me Shqipërinë, tregon një mungesë të plotë transparence dhe sinqeriteti të qeverisë shqiptare në trajtimin e këtij skandali. Mënyra se si Berisha e paraqiti këtë skandal në Shqipëri ishte poshtëruese për qytetarët e Shqipërisë. Në përpjekje për të mbrojtur dhëndrin e vet, kryeministri e paraqiti raportin si luftë e grupeve armiqësore brenda Bankës Botërore dhe dezinformoi publikisht, kur tha se studimi nuk parashikon se çfarë do të ndërtohet, por thjesht ku nuk do të ndërtohet. Raporti po ashtu zbulon se qeveria dhe Banka Botërore kanë pasur një memorandum mirëkuptimi që për prishjet në bregdet duhet më parë të kompensoheshin banorët, nëse ishte e nevojshme të prisheshin shtëpi, por kjo, jo vetëm që s’ka ndodhur, por prishjet aty janë bërë pa aprovim.

Pas gjithë kësaj katrahure të qëllimshme dhe skandali që po bën xhiron e botës, minimalja që duhet të bënte kryeministri Berisha për të provuar se është jashtë kësaj historie, do të ishte këshillimi i dhëndrit të tij për të dhënë dorëheqjen dhe për të qenë në dispozicion për hetime. Në vend të kësaj, kryeministri, që nuk lë njeri pa akuzuar për konflikt interesi, mbron publikisht dhëndrin e tij përballë akuzave të provuara nga një panel investigues nga më të mirët në botë. Ai as këshillon dorëheqjen e dhëndrit të tij, dhe as pranon akuzat.

Gjëja e dytë e shëmtuar që duket se po ndodh, është përpjekja e tij për t’i zgjidhur gjërat personalisht. Udhëtimi i tij privat në Uashington me një nga njerëzit që sot duhej të ishte në burg për vrasje masive, ka shpjegimin e vet. Sali Berisha do ta kishte flakur me kohë tej Fatmir Mediun dhe s’do të udhëtonte kurrë me të në Uashington sikur t’i kishte punët mirë zyrtarisht me qeverinë e SHBA dhe sikur të mos kishte nevojë për lobim financiar për të gënjyer shqiptarët me ndonjë fotografi. Çmimi që ai ka paguar për udhëtimin e tij në SHBA me zotin Mediu, është INSIG. Blerësi i INSIG, njeriu më i afërt i Fatmir Mediut, qëndroi pas perdes në gjithë udhëtimin e tyre privat në SHBA dhe lobimin për t’i mbyllur hallet e tyre privatisht me pará. Blerësi i INSIG ishte njeriu që përdori Mëngjesin e Lutjeve, jo vetëm për të lidhur fatin e Fatmir Mediut me atë të Berishës publikisht, por dhe për t’iu bërë atyre shërbesat e fundit, si dy njerëz të vdekur politikisht. Me këtë logjikë, Berisha është përpjekur të lobojë dhe pranë këshilltarit të drejtorit të Bankës Botërore për projektin dhe për të dalë në foto me Hillary Clinton-in në një takim jozyrtar që merrte shkas nga qëndrimi i tij në Mëngjesin e Lutjeve. Përpjekja e kryeministrit për të anashkaluar ligjet e shtetit të vet, dhe për të fshehur krizën e tij zyrtare me SHBA, përmes lobimit financiar me paratë e pasurive publike të Shqipërisë, është një shëmti e re, që na mban para syve tani në prag të njëvjetorit të Gërdecit dyshen reale që shkaktoi tragjedinë. Tashmë ai ka hyrë në spiralen e përpjekjeve për mbylljen e dosjeve me pará. Me paratë e Gërdecit shpreson të mbyllë gjyqet e Fazlliçit, me paratë e Fazlliçit të blejë gjyqtarët që do gjykojnë Lulzimin, pastaj me lekët e INSIG të mbyllë plagët e tij në SHBA e kështu me radhë. Edhe skeptiku më i madh nuk do të arrinte të besonte se një vit pas Gërdecit Berisha do të mbetej vetëm me Fatmirin, por koha po e provon këtë. Çdo ditë që kalon, ai mendon se si të përdorë lekët e shqiptarëve dhe pasuritë e tyre publike për të blerë historinë, për të blerë mbështetjen ndërkombëtare dhe në fund për të blerë pushtetin. Por, megjithëse është bërë shumë i pasur, megjithëse në këtë betejë janë të bashkuar djali, vajza, dhëndri, Luli dhe Fatmiri, ai sërish nuk ka aq pará sa të ndryshojë fatin e tij. Ka pará plot për të kaluar pleqërinë e tij. Për asgjë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›