E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri publikon sondazhin e parë për zgjedhje

Nga Antena brenda familjes

“Top Channel” i prishi ditën dje Flamurit. Një natë më parë, “Top”-i kishte transmetuar një lajm, sipas të cilit kompania e njohur amerikane e sondazheve, Zogby International, kishte nënshkruar një marrëveshje me “Top Channel” për survejimin e situatës politike në vend para zgjedhjeve. Rezultatet do të publikoheshin sipas “Top Channel” çdo datë dhjetë, katër muajt e fundit. Lajmi i dhënë nga “Top Channel” shqetësoi kryeministrin. I telefonoi Flamurit.

- Flamur, ç’është ky sondazh që do bëjnë këta amerikanët te “Top Channel”?

- Nuk e di, - tha Flamuri, por besoj sondazh koti do jetë.

- Jo Flamur, nuk janë kot ata. Janë shumë të njohur. ǒfarë t’u bëjmë ndonjë gjë t’ua djegim? Është shumë e rëndësishme.

- Bëjmë dhe ne një sondazh, - tha Flamuri, - dhe e japim sot.

- Mirë e ke ti, po si ta bëjmë, se do pak kohë ai. Duhet të gjejmë ndonjë gati.

- Po se ç’kanë pasur këta të TV “Klan”-it një sondazh që nga dhjetori. Mbaj mend që na e tha një herë ai Frangaj.

- Ide e shkëlqyer Flamur. Ja, lidhem unë tani me ata dhe të tregoj të dhënat.

- Jo, s’ka problem, - tha Flamuri, - se e kam unë këtë sondazhin e “Gani Bobi”-t, se na e kanë dhënë në dhjetor. E kanë pas bërë në fund të nëntorit.

- E ke përpara? Shumë mirë. Ma lexo pak si dalin të dhënat.

- Po sipas këtij sondazhi, PS vetëm merr 42 për qind, si koalicion, 48 për qind, LSI, 12 për qind.

- Sa bëjnë të tëra, Flamur?

- Po PS plus LSI 60, për qind, po kot, se këta janë të përçarë…

- E di, e di. Shumë mirë atëherë. Këtë PS bëje 37 për qind. Vetëm PS, 37 për qind. Këtij Erion Velisë lëri 3 për qind. Këta të tjerët futi te presjet dhjetore që zhduken.

- E bëra. Kështu i bëjmë, - tha Flamuri, - se 40 për qind marrin.

- Shumë mirë. LSI jepi 5 për qind.

- E bëra. 45 për qind shkojnë, - tha Flamuri

- Flamur, boll i kanë. Shëno tani. PD, 48 për qind. Pa aleatë ë ë. Vetëm fare.

- E shënova.

- Republikanët, 4 për qind, Balli Kombëtar Demokrat, 3 për qind, Arian Starova, si e ka emrin kjo parti e Starovës, ah po, Liberalët, 2 për qind… Sa bëjnë këto të voglat Flamur?

- Këto bëjnë 9 për qind, plus 48 që kemi, bëjnë 57 për qind. Dhe 45 për qind ata bëjnë 102 për qind.

- Ashtu ë? Mirë, hiqe atë Arian Starovën, hiqi dhe 2 atyre republikanëve, shtoji 2 Vangjel Dules. Sa bëjnë Flamur?

- Ja t’i llogaris. 9 heqim 2, heqim 2, shtojmë 2, baras 7. I shtojmë 48, bëjnë 55. Fiks janë doktor. Mos shto më.

- Shumë mirë, Flamur. Jepja medias tani.

- Po nuk është Gert Bogdani sot doktor. Sikur t’ua jap “Klan”-it, se ia japin ata medias.

- Shumë mirë, jepja “Klan”-it. Ja, lidhem unë me Frangajn dhe dërgoja me faks. Gjejnë vetë ata një njeri për ta lexuar.

I gëzuar Flamuri ua nisi me faks. Pas një ore komunikata u lexua te “Rogner”-i si sondazh i ri i fondacionit “Gani Bobi”. I vetmi që u huta ishte Ilir Meta, se atij i kishte thënë Baton Haxhiu që merr 15 për qind, kurse Flamuri i kishte lënë 5 për qind.

Pas konferencës për shtyp, doktori mori i kënaqur Flamurin.

- Shkëlqyshëm, - tha. - Tani po deshën të bëjnë sondazhe, të harxhojnë pará me të huaj. Unë e ti i shkatërrojmë.

- Jo, mos u lodh kot, - i tha Flamuri. - Këta m’i lë mua ti. Merru me të tjerët. Po të jetë për shifra, i bëj vetë unë. S’ka institut që më del përpara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›