Problemet e klubeve, shtyjnë fillimin e kampionatit
Federata Shqiptare e Basketbollit vendosi të shtyjë fillimin e kampionatit kombëtar për meshkuj dhe femra. Kjo erdhi për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe parregullsive të tjera në formularët e paraqitur nga klubet pjesëmarrëse dhe shoqatat sportive. Fillimi i kampionatit 2008-2009 ishte parashikuar më 4 tetor, por detyrimet e pashlyera financiare ndaj FSHB-së, mungesa e listave të federimeve dhe bojkoti i gjyqtarëve për shkak të rrogave të prapambetura bëri që federata të lajmëronte pjesëmarrësit për shtyrjen. Në kërkesën ndaj klubeve spikasnin borxhet dhe federimet, si elementët e nevojshëm për regjistrimin e skuadrave në kampionatin e ri. Deri më tani rezulton se vetëm ekipi i meshkujve të Vllaznisë dhe ekipi i femrave DHL kanë shlyer të gjitha detyrimet financiare. Krahas tyre ka edhe ekipe si Tirana për meshkuj dhe Flamurtari për meshkuj e femra, të cilët pavarësisht mangësive për lojtarë të veçantë plotësojnë kushtet për fillimin e kampionatit. Pjesa tjetër e ekipeve kanë mangësi të tilla, që i bëjnë të pamundura procedurat për regjistrimin e tyre.