Rezart Taçi: Galiani më konfirmoi prezencën e Ronaldinjos në Tiranë
Ronaldinjo do të jetë në Tiranë, në ndeshjen e vlefshme për trofeun "Taçi Oil Albania Reads", që do të shohë si kundërshtarë në fushë Milanin dhe Tiranën. Kjo është konfirmuar nga organizatori i sfidës së 14 tetorit në stadiumin "Qemal Stafa", Rezart Taçi. Pas një bisede që ka pasur me zv/presidentin e Milanit, Adriano Galiani, ai është siguruar se ylli brazilian do të jetë pjesë e skuadrës që do të luajë në Shqipëri. "Pak ditë më parë, bisedova me administratorin e Milanit Galiani dhe ai më konfirmoi prezencën e Ronaldinjos në miqësoren që do të luhet në kryeqytetin tonë", tha Taçi. "Braziliani nuk ishte grumbulluar në përfaqësuese për ndeshjet e tetorit, por ardhja e tij me pjesën tjetër të skuadrës mund të komprometohej nga disa kushte që mund të vendoste Federata Braziliane. Gjithsesi, numri dy i Milanit më siguroi se ata i kanë zgjidhur të gjitha detajet teknike që mund ta pengonin futbollistin dhe tashmë mund të themi zyrtarisht se Ronaldinjo do të jetë". Fantazisti, i cili ka fituar "Topin e Artë" në vitin 1999, nuk u grumbullua nga tekniku Dunga për ndeshjet eliminatore të tetorit që "seleçao" do të luajë kundër Venezuelës dhe Bolivisë. Arsyeja ishte forma e dobët e 28-vjeçarit në ndeshjet e para të këtij sezonit, e cila duket se ka ndryshuar që prej fundjavës së kaluar. Në fakt, 28-vjeçari ishte lojtari deciziv në fitoren 1-0 që Milani arriti në derbin kundër Interit, duke realizuar golin e vetëm të takimit. Ronaldinjo do të luajë në Tiranë kundër bardhebluve të drejtuar nga Blazh Slishkoviç përkrah yjeve të tjerë kuqezinj si Maldini, Sedorf dhe Shevçenko.
Ndërkohë, fakt tjetër interesant rreth aktivitetit "Taçi Oil Albania Reads", është se ky është trofeu i parë që Milani merr pjesë pas trofeut "Berluskoni", i cili luhet në çdo verë kundër Juventusit. Ndeshja e mundësuar nga Rezart Taçi ka si qëllim edhe bamirësinë, duke financuar projektin e UNICEF-it, që parashikon ndërtimin e librarive moderne në të gjithë vendin tonë.