Muriqi-Uds, sfida e 25 tetorit drejt dështimit
Përballja e përcaktuar për t‘u zhvilluar më 25 tetor, ndërmjet boksierit kosovar Elvir Muriqi dhe ish-kampionit të botës, Klinton Uds, rrezikon të dështojë. Gjatë verës "Kosova Kid" ka nënshkruar kontratën e ofruar nga Uds, por vetë boksieri britanik nuk ka hedhur të zezën në të bardhë dhe tashmë u bë një kohë e gjatë pritje. Për kosovaren "Express", Muriqi deklaroi se rivali i tij ndërroi mendje dhe nuk dëshiron më të ngjitet në ring. Boksieri shqiptar shpjegoi edhe arsyet që e nxitën anglezin ta anulojë duelin. "Ai pati kërkuar që gjyqtarët të jenë anglezë, ndërsa unë nuk kam pranuar. Unë kam kërkuar që gjyqtarët të jenë gjermanë apo francezë etj. Arsye tjetër është se menaxherët e tij i kërkuan të ndeshej me mua, por në realitet Uds ka pasur frikë", tha ai. Muriqi është i 13-ti në versionin WBC, i 13-ti në WBA dhe i 10-ti në WBO, ndërsa së fundi siguroi edhe pozitën e 13-të në versionin IBF.