Problemet me mbivendosjet, 305 padi në Gjykatën e Tiranës
Statistikat tregojnë se toka në periferi të kryeqytetit ka më shumë probleme. Çfarë fitohet me padinë dhe kostoja që rëndon në xhepin e qytetarëve
Laureta Rryçi
Problemet me mbivendosjet e pronave kanë detyruar jo pak, por 305 kryeqytetas t’i drejtohen gjykatës. Statistikat i përkasin 9-mujorit të këtij viti dhe përbëjnë një nga çështjet që me sa duket përbëjnë edhe konfliktin më të madh në familjet shqiptare.
Pretendentët për pronarë të mijëra hektarëve tokë kanë parë si zgjidhje të vetme padinë në gjykatë për të rifituar pronën e trashëguar. Të dëmtuar nga mbivendosjet apo nga ndonjë vendim i padrejtë i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, qindra qytetarë hapin procese civile për të rifituar pasurinë e paluajtshme. Burime zyrtare nga Gjykata e Tiranës pohuan se prej vitesh dosje të kësaj natyre janë depozituar me mijëra nga qytetarët. Në këto, ka raste ku palët janë individ-shtet, por nuk mungojnë dhe konfliktet brenda familjes.
Paditë
Në Gjykatën e Tiranës, që gjykon dhe numrin më të madh të dosjeve në të gjithë vendin, janë regjistruar rreth 305 padi për konflikt pronësie. Sipas statistikave të kësaj gjykate, numri i këtyre padive është rritur krahasuar me vitin 2008. Burime zyrtare pranë kësaj gjykate shpjegojnë se dosjet u shpërndahen me short gjyqtarëve civilë që gjykojnë në këtë gjykatë. Kryesisht procese të kësaj natyre zgjasin edhe më shumë se një vit, por nuk mungojnë edhe rastet kur palët janë dakord. Paditë kanë si objekt çështjen e pronësisë dhe në të shumtën e rasteve në to gjendet pretendimi i hershëm i ish-pronarëve për rikthimin e pronave apo njohjen ligjërisht të mijëra hektarëve tokë në emrin e tyre.
Legjislacioni
Paditë e depozituara tregojnë se përveç mbivendosjeve, një tjetër problem është edhe përcaktimi i kufijve. Për të gjitha kërkesat për regjistrimin e kufijve, specialistët në hipoteka u shpjegojnë qytetarëve se harta treguese e regjistrimit tregon kufijtë, sipërfaqen dhe pozicionin e përafërt të pasurisë së paluajtshme. Kur pjesëtarët në një mosmarrëveshje lidhur me pozicionin e një apo të disa kufijve arrijnë ta zgjidhin mosmarrëveshjen, regjistruesi bën korrigjimet në hartën treguese dhe në kartelat e duhura, në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe arkivon marrëveshjen e firmosur nga palët pjesëmarrëse në konflikt. Kur lind ndonjë paqartësi ose mosmarrëveshje lidhur me pozicionin e ndonjë kufiri dhe pjesëtarët në këtë konflikt nuk arrijnë marrëveshje lidhur me këtë, regjistruesi i udhëzon ata që ta paraqesin çështjen në gjykatën kompetente brenda 15 ditëve dhe bën një shënim në kartelë. Në qoftë se brenda këtij afati çështja nuk është dërguar në gjykatë, atëherë regjistruesi bën shënimin përkatës. Çdo pronar i një pasurie të paluajtshme është i detyruar të mbajë në gjendje të mirë çdo shenjë që ndan kufijtë e tij. Regjistruesi vendos për përcaktimin e vijave ndarëse të qëndrueshme të çdo kufiri brenda një kohe të caktuar dhe sipas mënyrës që mund të udhëzojë ai. Regjistruesi vendos se cili prej pronarëve fqinjë ka përgjegjësinë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e çdo shenje që ndan një kufi të zakonshëm dhe ai që urdhërohet për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Brenda 30 ditëve, pronarët kanë të drejtë të ankohen në organet gjyqësore kundër urdhrit të regjistruesit. Nëse nuk ushtrohet kjo e drejtë brenda këtij afati, urdhri prezumohet i pranuar.
Kostoja e një procesi me objekt për çështje pronësie
Avokatët që merren me çështje të pronësisë shpjegojnë se proceset civile rëndojnë më shumë në xhepat e qytetarëve për shkak se në këtë rast janë ata të interesuar për hapjen e një procesi gjyqësor. Në rastin konkret, në paditë për pronësinë, që në momentin që regjistrohen, paguhet një shumë prej 3 mijë lekësh të rinj. Më pas paditësi paguan ekspertin që bën përllogaritjen si për sipërfaqen e pronës për të cilën bëhet fjalë, ashtu dhe për kufijtë. Sipas pagesave që bëhen në Gjykatën e Tiranës, një ekspert minimalisht paguhet me 20 mijë lekë të rinj. Por tarifat variojnë sipas sipërfaqes së tokës për të cilën paditësi pretendon se është e tij. Ka raste kur tarifa e ekspertit është edhe 80 mijë lekë, apo edhe më shumë. Ndërsa është paguar eksperti dhe gjykata del në një vendim në fund të procesit, sërish paditësit detyrohen të paguajnë shpenzimet gjyqësore. Elementi tjetër i procesit që ka sërish një kosto është avokati. Mbrojtësi ligjor që argumenton të drejtat e klientit me terma juridikë ka tarifën në varësi të zgjatjes së proceseve. Juristët civilë që merren me këto dosje na tregojnë se tarifa minimale për këto procese në total shkon 2 mijë euro.
Qytetet që kanë më shumë probleme me mbivendosjet
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, gjashtë muaj pas nisjes së aplikimit për ankesat ndaj mbivendosjeve, zbardhi hartën me qytetet më me shumë probleme në lidhje me këtë fenomen. Sipas numrit të ankesave u përcaktuan edhe zonat më problematike në të gjithë vendin, ku pretendohet të jetë abuzuar më tepër me pronat. Sipas të dhënave në raportin e fundit të dalë nga Hipoteka, vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti rezultonte se ishin depozituar në të gjithë vendin rreth 400 kërkesa për fshirje të mbivendosjeve. Shifrat tregojnë se zona më e nxehtë është kryeqyteti, ku njerëzit kanë më tepër interesa për të marrë aktet e pronësisë. Më pas vijnë qytetet bregdetare, ku me sa duket qytetarët kanë gjetur si të vetmen mënyrë që të rimarrin pronën e tyre, ndërsa figuron e regjistruar me më shumë se tre pronarë. Statistikat tregojnë gjithashtu se ankesa të shumta në lidhje me këtë problem ka edhe në zonat juglindore të vendit, në Pogradec dhe Korçë. Muajt e fundit janë shqyrtuar dhjetëra kërkesa të ardhura vetëm nga këto qytete. Qytetarët i janë drejtuar kryeregjistruesit pasi nuk kanë qenë dakord me vendimin e drejtuesit të zyrës vendore ku është e regjistruar prona për të cilën ata kanë ngritur pretendimin.
Urdhri që shërbeu për verifikimin e regjistrimeve
Në vitin 2008, kreu i Zyrës qendrore të Pasurive të Paluajtshme të Pasurisë, Arben Qirjako, dha alarmin se me regjistrimin e pronave ishte abuzuar duke krijuar kështu dhjetëra mbivendosje. Sipas këtij urdhri, në të gjitha rastet ku figuronte se pasuria e fituar me “Akt të marrjes së tokës në pronësi” figuron e regjistruar në regjistrat e Zyrës së Regjistrimit, mbi bazën e dublikatës do të pezullohej deri në verifikimin nga ana e regjistruesit për përputhshmërinë e aktit me të cilin është bërë regjistrimi. Kjo përputhshmëri përfshin “Aktin e marrjes së tokës në pronësi” të së njëjtës familje bujqësore, nëse ndodhet në Zyrën e Regjistrimit si dhe të dhënat që tregojnë dokumentet e tjera mbi bazën e të cilave është lëshuar ky akt. Pas këtij urdhri, në çdo rast që do të paraqitet në ZVRPP për regjistrim me dublikata, regjistruesi duhet të refuzojë këtë regjistrim. Një kopje e urdhrit u afishua në ambientet e brendshme dhe të jashtme të ZVRPP-ve, dhe një kopje iu dërgua qarqeve, komunave, bankave të nivelit të dytë që operojnë në treg, si dhe rast pas rasti personave të interesuar. Në bazë të këtij urdhri nisën të kalonin në sitë dhjetëra hektarë tokë, të cilat rezultonin me dokumente se ishin prona e disa personave të ndryshëm. Aktualisht një pjesë e mirë e këtyre ankesave e kanë marrë përgjigjen nga kryeregjistruesi. Qytetarët që sërish nuk kanë qenë dakord me këtë vendim, kanë pasur të drejtë t’i drejtohen gjykatës për ta ankimuar vendimin. Pas këtij veprimi procedural, gjykata thotë fjalën e fundit se e kujt është prona. Vendimi i formës së prerë është i detyrueshëm edhe për drejtuesit e hipotekave.
1 Dhjetor 2009