E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi i Taçit, përpjekje për të shitur naftën e Ballshit si eurodiesel

Nga Tema

Pronari i ri i ish-kompanisë shtetërore të naftës, ARMO, Rezart Taçi, deklaroi dje se ka filluar prodhimin e naftës eurodiesel në rafinerinë e Ballshit, duke ngritur një sërë dyshimesh për futjen kontrabandë të naftës D1 dhe përzierjen e saj në masë me naftën e Ballshit, gjë që mund të shkatërrojë cilësinë e naftës në tregun shqiptar.

Deklaratat e Taçit për prodhimin e naftës eurodiesel kundërshtohen nga çdo specialist i thjeshtë nafte në Shqipëri, dhe nga kushdo që njeh sadopak teknologjinë e viteve ‘50 të rafinerisë së naftës në Ballsh. Ekspertët thonë se deklarata synon të mbulojë mijëra tonë naftë D1, por dhe D2, të futur nga jashtë pa doganë, e cila duhet të justifikohet me futjen e saj në tregun shqiptar duke u përzier me naftën e keqe të Ballshit dhe duke përfituar disa fish nga shmangia e akcizave në doganë.

Dalja publike e Taçit përkon me njoftimet se ai është duke përdorur disa lidhje të dyshimta në Azerbajxhan për blerjen e një banke islamike në Tiranë. Deklarata e tij bie ndesh me mundësitë konkrete që ka rafineria e Ballshit për të prodhuar, jo eurodiesel, por dhe naftë D2 të pranueshme. I përballur me një sërë problemesh, ky biznesmen po përpiqet të ndreqë imazhin e tij publik me deklarata që kërkojnë t’i hapin rrugë futjes në treg të një nafte të dyshimtë të prodhuar me kosto të lirë prej tij.

Dalja e tij publike për prodhimin e naftës eurodiesel më parë ka lënë në hije vetë ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, i cili duhet ta përdorte këtë rast për të dëshmuar sa para ka ecur investimi në teknologji në Shqipëri në fushën e naftës. Qeveria shqiptare është aksionere në ARMO dhe nuk ka pse fshihet në këtë “moment historik”, kur kompania po prodhon eurodiesel.

Të thuash se ARMO, 3 muaj nga kalimi i plotë te administrimi i Taçit, papritur prodhoi eurodiesel është një skandal, sepse po të ishte e vërtetë, qeveria ka bërë një shitje me një çmim qesharak dhe ka mashtruar konkurrentet dhe publikun duke thënë se teknologjia e ARMO-s është e vjetruar dhe do të duhet minimalisht një 5-vjeçar investime për të rritur cilësinë e naftës D2 dhe as që bëhej fjalë për prodhimin e eurodiesel (mund të shihet njoftimi zyrtar i ministrisë për shpalljen e privatizimit për investimet, ku nuk përmendet në asnjë rresht eurodiesel.) Por e vërteta është se qeveria nuk ka gënjyer, kur ka thënë që rafineria është e vjetër dhe do pesë vjet të rinovohet. Ai që po gënjen publikisht është biznesmeni i përkëdhelur i qeverisë, i cili duket se po përpiqet të krijojë një parajsë të vogël fiskale me naftën e futur ilegalisht në tregun shqiptar në kurriz të cilësisë.

Heshtja e ministrit Ruli pas kësaj gënjeshtre publike ngre dyshime për implikimin e tij me Rezart Taçin në aferën e blerjes së ARMO-s. Edhe pse dalja publike e Taçit ishte komiko-tragjike, prokuroria duhet të nisë hetimet seriozisht dhe të verifikojë mundësitë e prodhimit të naftës eurodiesel në Shqipëri. Në rast se kjo nuk është e vërtetë, atëherë ajo duhet të bllokojë rafinerinë dhe të padisë për mashtrime pronarin e saj, i cili mund ta përdorë këtë njoftim për të futur naftë kontrabandë në vend ose naftë eurodiesel false në treg.

Po ashtu, Banka Qendrore dhe guvernatori duhet të hetojnë dhe deklarojnë burimet e financimit për një blerje banke të falimentuar këtu dhe të mos lejojnë që bankat në Shqipëri të komandohen nga qarqe ruse që kontrollojnë Taçin. Ata duhet të hetojnë po ashtu kreditimin e mundshëm të investimit të deklaruar dje prej Rezart Taçit për t’i shkuar të vërtetës deri në fund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›