E Diel, 1 Nëntor 2026

Problemi nuk janë zgjedhjet, por kultura politike e aktorëve

23-02-2013 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani takon ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle

Presidenti i Republikws, Bujar Nishani u shpreh në takimin me ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle se, Shqipëria ka kapacitete dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sfida e vetme mbetet kultura politike e aktorëve dhe shprehu bindjen se klasa politike shqiptare do ta kalojë këtë sprovë me sukses.
Presidenti Nishani e siguroi ministrin Westerwelle se “Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj si kontribuuese thelbësore e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon duke forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe duke inkurajuar shqiptarët që të mbështesin zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik në vendet ku ata jetojnë. E gjitha kjo bazohet në një traditë sipas të cilës shqiptarët u kanë ofruar fqinjëve miqësi dhe paqe”.
Në përgjigje, kryediplomati gjerman pasi shprehu dakordësi me mendimet e mësipërme të Presidentit Nishani u shpreh se vjen me një mesazh shumë të qartë e të thjeshtë se “Gjermania do të jetë në anën tuaj sidomos gjatë udhëtimit tuaj europian. Për ne nuk është një çështje kombëtare apo ekonomike, por një qëndrim politik dhe strategjik që të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Europian”.
Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm Westerwelle veçoi se kriteret janë kërkesa objektive duke vlerësuar për momentin si shumë të rëndësishme përgjegjësinë e faktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe realizimin e kritereve të Komisionit Europian.
Kryediplomati gjerman shprehu vlerësime shumë pozitive për rolin e Shqipërisë në rajon dhe shtoi se mbetet i bindur se Shqipëria do të vazhdojë ta luajë këtë rol edhe në të ardhmen.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›