Gjykata e Lartë përfundon lojën e videove, deputeti drejt pafajësisë
Video PriftiBeqiraj, e papërdorshme
Sokol Çobo
Gjykata e Lartë ka shpallur të papërdorshëm videoregjistrimin mes ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe ish-zëvendësit të tij, Leonard Beqiraj, duke përfunduar në këtë mënyrë lojën e videove. Më parë, e njëjta gjykatë dha pafajësi për kreun aktual të LSI-së, Ilir Meta, në lidhje me dyshimet se gjatë postit të zëvendëskryeministrit kishte influencë te disa vartës të tij, madje i urdhëronte për tenderët e naftës dhe dhënien e koncesioneve. Tashmë, Prifti dhe Meta janë pajtuar, pasi asnjë prej tyre nuk ka dalë para mediave për të sharë njëri-tjetrin, siç ndodhi gjatë kohës që çështja Meta-Prifti ishte në proces gjykimi. Duket se presionet me video kanë përfunduar dhe në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë ka vendosur përfundimisht ti mbyllë këto procese, ku rezultati sigurisht që ishte i pritshëm: asnjë i dënuar. Megjithëse bashkëbiseduesit që shfaqeshin në video flisnin për qindra mijëra euro, kolegjet penale vendosën që asnjë prej regjistrimeve private të mos merreshin si provë, megjithëse vetë i pandehuri Dritan Prifti pranoi autorësinë.
Në procesin e djeshëm, Kolegji Penal me shumicë votash vendosi pavlefshmëri për videoregjistrimin Prifti-Beqiraj, pas kërkesës se avokatëve, të cilët disa herë pretenduan hedhjen poshtë të materialit filmik si provë. Pala mbrojtëse argumentoi, se mënyra e marrjes së kasetës si provë, kishte pasur mangësi procedurale, një fakt ishte është marrë parasysh nga gjykata.
Pas kërkesave tona, trupi gjykues u tërhoq për vendim dhe në fund vendosi që video të konsiderohet e papërdorshme dhe të mos shfaqet para gjykatës si provë. Por, pas këtij momenti, ne mendojmë se nuk mbetet gjë tjetër veç pushimit të çështjes, pasi përderisa video është e papërdorshme, çështja duhet të pushohet, tha avokati Fatmir Braka, që mbron interesat ligjorë të ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti.
Ndërkohë, prokurori Bujar Sheshi kërkoi që video-përgjimi të shfaqej që në fillim të seancës, në mënyrë që gjykata të krijonte një bindje në lidhje me akuzën, pasi kaseta ishte prova e vetme që dispononte. Por, pas vendimit për ta nxjerrë videon të papërdorshme, përfaqësuesi i akuzës kërkoi kohë për të vlerësuar qëndrimin e ri të prokurorisë në lidhje me ketë dosje. Më parë, prokurori kishte kërkuar nga gjykata të pranojë për prova procesverbalet për caktimin e ekspertëve amerikanë dhe anglezë, aktekspertizat e tyre, procesverbalin e transkriptimit të bisedës të kryer mes dy zyrtarëve në një ambient privat, tabulatet telefonike të Priftit dhe Beqirajt, si dhe të dhënat e marra nga sistemi Tims për hyrje-daljet e tyre jashtë vendit. Ndërkohë, avokati i Priftit, Fatmir Brraka, ka mëshuar në faktin se organi i akuzës nuk ka asnjë dëshmitar në proces dhe se Gjykata e Lartë duhet të shpallë pushimin e gjykimit. Ndërsa avokati i Leonard Beqirajt, Vladimir Meçe, shtoi se në këtë çështje është shkelur një nga parimet më themelore të të drejtave të njeriut, siç është ajo e mënjanimit të vetinkriminimit të të dyshuarit. Prifti dhe Beqiraj akuzohen për korrupsion pasiv pas zbulimit të videos në kompjuterin e Dritan Priftit, ku ai dhe ish-vartësi i tij ndanin një shumë parash me vlerë 70 mijë euro. Videoja u zbulua në shkurt të vitit 2011 nga eksperti amerikan që mori në dorëzim kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndërsa kryente ekspertizën për origjinën e videos Meta-Prifti.
Gjykata e Lartë përfundon lojën e videove, deputeti drejt pafajësisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip