E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magjia e humbur e kavalier Berluskonit

01-06-2011 / Nga Mario Calabresi*

“Ai është një udhëheqës radioaktiv”: subjekti është Silvio Berluskoni, batuta politikisht e padrejtë u bë në fund të G8 nga një njeri i planit të parë në administratën amerikane që udhëtonte me Barack Obamën. Një batutë e dobishme për të kuptuar sikletin e shumë udhëheqësve të huaj përballë një Presidenti Këshilli që i ngacmonte me ankthin e tij të komploteve gjykuese. Një batutë që mund të vlejë sot për të kuptuar arratisjen e votuesve nga kandidatët e sponsorizuar nga Kavalieri.
Vota e djeshme shënon një ndryshim të madh që, në mënyrë më të fuqishme se herën e parë, ka tejkaluar vlerën administrative të këtyre zgjedhjeve.
Një epokë që na tregon se si Silvio Berluskoni ka humbur harmoninë e tij me shumicën e italianëve. Kryeministri, që nga kohërat e lindjes së televizioneve private, ka qenë gjithmonë një interpretues i humorit dhe dëshirave të italianëve: mund t’i parashikonte me një koordinim perfekt. Berluskoni i ka premtuar qytetarëve, konsumatorëve dhe më pas votuesve, se do të përmbushte çdo dëshirë të tyre, se do të siguronte çdo liri të tyre. Sot ky mekanizëm i konsensusit duket se ka dështuar dhe jo për shkak të ndonjë hetimi gjyqësor, por sepse Kavalieri nuk ka mundur të kuptojë se çfarë po mendojnë e çfarë po ndodh në jetën e italianëve.
Në kohë krize, vështirësish, kursimesh qe janë pakësuar dhe të rinjsh që nuk gjejnë punë, nuk mund të mendohet se çështja e ndarjes së karrierave ose reforma e Gjykatës Kushtetuese do të ngrohin zemrat apo do të mbushin urnat. Berluskoni e dinte mjaft mirë: për vite ka premtuar të ulë taksat, por tashmë ishte i bindur se shumica e bashkatdhetarëve të tij ishte e indinjuar si ai me gjyqësorin dhe me të majtën.
Kështu fituan kandidatë të rinj e të paparashikuar, që në kartë nuk kishin asnjë shans: shumë radikalë, shumë të majtë ose dhe shumë të rinj e pa përvojë, por mbi të gjitha kanë humbur forcat e qeverisë, madje dhe në fortesat e Veriut, ku mbaheshin shpresat te një Lidhje deri disa muaj më parë në rritje.
Si ndodhi kjo? Për vite me radhë, Silvio Berluskoni ka propozuar një vizion të tij për vendin, ndërsa kundërshtarët e tij kanë reaguar gjithmonë duke zhvilluar fushata kundër tij e duke e demoralizuar. Këtë herë rolet ndryshuan: tani po luante ai, prej muajsh asistojmë në fushata politike dhe gazetareske në të cilat kundërshtarët transformohen në karikatura. Nga kjo pikëpamje trajtimi i rezervuar për Pisapia është një manual, u përshkrua si udhëheqësi i ciganëve, i romëve dhe i ekstremistëve islamikë, një fushatë e një brutaliteti të tillë që largoi shumicën e milanezëve nga kandidati për kryetar komune i qendrës së djathtë. Një fushatë kaq pak “pozitive”, sa frikësoi edhe të moderuarit, që pesë vjet më parë i garantuan fitoren Letizia Morattit. Për të humbur Milanon duhej me të vërtetë angazhim: ishte një kryevepër.
Mund të mendohet të jesh i besueshëm nëse vishet një qytet me postera që shkruajnë: “E majta i do zjarrfikësit vetëm për gjobat, jo për sigurinë” ose me kërcënimin për ta parë Milanon të transformuar në “Zingaropoli”? Ajo ishte një fushatë aq groteske, që iu dha hua mijëra parodive që shpopulluan në internet. Vendi më i mirë për Pisapinë ishin pikërisht karikaturat e bëra për të: filmat dhe këngët që e bënin akoma më ekstremist se sa posterat e Lidhjes ose të Berluskonit.
Gabimi final, i pakuptueshëm, ishte biseda me presidentin e Shteteve të Bashkuara për problemet e tij juridike, fyerja e trupit të shtetit italian. Mendoni nëse Kryeministri ynë, pasi ka lajmëruar fotografët dhe pasi është vënë në favor të telekamerës, i ka zhvatur Barack Obamës zotimin mbi Libinë për të frenuar rrjedhën e emigrantëve. Nga miratimi i tij do të përfitonte. Në vend të kësaj, zgjodhi të ndiqte maninë e tij.
Çfarë do të ndodhë tani është e vështirë të parashikohet, sigurisht që është vënë  në lëvizje një ortek nga rezultate të paparashikueshme. Mund të duhet një ditë, një muaj ose edhe dy vjet për të arritur në fund të rrugës dhe Berluskoni është rezistues, këmbëngulës, në gjendje të ri-trillojë dhe që lufton deri në fund, por është fakt paaftësia për të kuptuar se çfarë po ndodh në zemrat e në jetën e votuesve dhe kur një politikan e humb këtë nuhatje e dhunti për të po bien kambanat e fundit.

*Drejtor i gazetës konservatore italiane “La Stampa”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›