E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat për Gjykatën e Lartë duhej të kishin filluar para një viti

Procedurat për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë duhej të kishin filluar më së pakti që një vit përpara, kur ka mbaruar mandati i Kristaq Ngjelës, anëtar i kësaj gjykate. Ligji parashikon që procedurat e zgjedhjes së kandidatëve për vendet vakante në organet kushtetuese të fillojnë 45 deri në 30 ditë përpara. Kështu Kristaq Ngjela ka dalë në pension për shkak të mbushjes së moshës, që në qershor të vitit 2007. Me një llogari të thjeshtë, dekreti për plotësimin e këtij vendi, i cili ka datën 12 maj 2008, nuk është zbatuar, pra për më shumë se 11 muaj vendi i tij në Gjykatën e Lartë është mbajtur bosh.

Gjyqtarit Ylvi Myrtja i ka mbaruar mandati që më 25 janar 2008. Pra, ka më se katër muaj nga mbarimi i këtij mandati dhe dekreti për plotësimin e këtij vendi është bërë në fund të muajit të pestë, më datë 12 maj 2008. Tre ish-gjyqtarëve të tjerë, Nikoleta Kita, Artan Hoxha dhe Agron Lamaj, iu ka mbaruar mandati më 20 maj 2008. Dekretet për plotësimin e këtyre vendeve kanë datën 22 maj 2008. Ndërsa Thimio Kondi i ka mbaruar mandati më 3 qershor 2008 dhe ende nuk kanë filluar procedurat për zëvendësimin e këtij vendi të ri vakant.

Gjithsesi, ky fakt nuk është përmendur asnjëherë në debatet e nisura që prej një muaji mes Kuvendit dhe Presidencës për këtë çështje. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit është bazuar në një vendim, apo më saktë interpretim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, cila i jep të drejtën Kuvendit që të shqyrtojë dekretet e Presidentit të Republikës për kandidaturat që ai vendos për Gjykatën e Lartë. Në asnjë rast gjatë debateve publike dhe as në Komisionin e Ligjeve nuk është përmendur fakti që dekretet e Presidentit të Republikës kanë qenë të vonuara, madje as në ditën kur ato u rrëzuan nuk u përmend qoftë nga kryeministri, qoftë nga kryetarja e Kuvendit ky fakt, por u morën më shumë me procedurën dhe se përse Presidenti i Republikës nuk është konsultuar me mazhorancën për kandidaturat, arsyetim që solli dhe rrëzimin e këtyre dekreteve në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›