E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Poda fitues, u falsifikua procesverbali

Opozita akuzoi maxhorancën për falsifikim të procesverbalit të seancës ku u votuan pesë dekretet e rrëzuara të Presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë. 

Disa minuta para pritjes zyrtare të Kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe mbërritjes së titullarëve të trupit diplomat, maxhoranca dhe opozita janë përplasur për çështjen e procesverbalit, për shkak se në të ishin hequr fjalët e deklaruara nga deputeti Arjan Madhi, ku shpalli fitues Zamir Podën si anëtar të Gjykatës së Lartë. “Në procesverbal është hedhur ajo që nuk ka ndodhur. Dhe procesverbali është i falsifikuar, sepse sekretariati ka thënë  fjalë për fjalë që Kuvendi jep pëlqimin për z.Poda. Pasqyrimi në procesverbal i aktiviteteve të tjera që kanë ndodhur jashtë seancës, nuk kanë vend në këtë procesverbal dhe kjo është parimore. Seanca është mbyllur me vendimin që Kuvendi jep pëlqimin për z.Zamir Podën. Më pas z. Madhi ka dalë jashtë dhe ka thëne që unë e kam bërë gabim. Pra, procesverbali është falsifikuar dhe çdo vendim që merret jashtë seancës nuk ka asnjë vlerë”, deklaroi kreu i grupit të PS-së, Valentina Leskaj. Nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, si drejtues i seancës deklaroi se, “ajo që nuk është pasqyruar në procesverbal, unë rashë dakord që aty duhet pasqyruar ajo që ka ndodhur në seancë. Nëse ju keni dyshim se gjërat janë ndryshuar, unë ju ftoj që të shikoni shiritat dhe çfarë është regjistruar dhe çfarë është zbardhur në procesverbal”. Ndërsa socialisti Braçe theksoi se, “Madhi ka ngatërruar disa herë emrin e Zamir Podës, duke i thënë Bamir Poda, Zamir Topi, gjersa e shpalli fitues dhe kjo gjë nuk është zbardhur në seancë. Shprehja e fundit në procesverbal është e falsifikuar”. Socialisti Besnik Dervishi, si një nga anëtarët e sekretariatit, e cilësoi si një falsifikim të pastër paraqitjen e procesverbalit për miratim në seancën e Kuvendit. “Sekretariati i votimit e ka mbyllur seancën se shumica e deputetëve ka votuar pro kandidaturës së z. Zamir Podës për anëtar të Gjykatës së Lartë. Dhe seanca këtu është mbyllur dhe ne si sekretariat seancën e ditës e kemi përfunduar me këtë pikë. Natyrisht që ka diskutime si është interpretuar neni 88 i rregullores nga sekretariati, por kjo është çështje tjetër dhe nuk ka lidhje me procesverbalin. Prandaj ky paragraf që është shtuar këtu është pjesë e një falsifikimi të pastër”, deklaroi Dervishi. Anëtari tjetër i sekretariatit, demokrati Aldo Bumçi, deklaroi se ka pasur një gabim gjatë numërimit të votave dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar. “Është shumë e vërtetë se rezultati i shpallur në seancë nuk mund të ndryshohet më. Pra, nëse komisioni shpalli rezultatin me 65 vota pro, 62 kundër, 2 abstenime dhe një e pavlefshme, ky rezultat nuk mund të ndryshohet të nesërmen nga komisioni se një votë na doli e pavlefshme. Për këtë duhet t’i drejtohesh gjykatës. Dhe rezultati nuk ka ndryshuar. Por nëse je fitues apo jo, këtë e nxjerrë rezultati dhe shifrat e dala 65 pro dhe 62 kundra, megjithëse në pamje të parë duket sikur kandidati është fitues, kjo nuk është e vërtetë. Rregullorja e thotë qartë se duhet shumica e deputetëve në seancë”, theksoi Bumçi. Ndërsa Braho ka kërkuar që të ngrihet një grup deputetësh të verifikojnë zbardhjen e seancës parlamentare të ditës së hënë në Parlament. Më pas seanca është ndërprerë, pasi duhej të ftonin Kryeministrin Thaçi për të mbajtur fjalën e tij në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›