Thaçi: Asnjë pretendim për ndarje të Kosovës nuk do ketë sukses
Zotërinj kryeministra, cili do të jetë projekti i parë që do të realizojnë qeveritë tuaja në proceset e integrimit euroatlantik dhe cili do të jetë projekti i parë konkret në bashkëpunimin midis dy qeverive?
Kryeministri Berisha: Projekti i parë madhor është aorta e kombit, nga Morina në Durrës, në të cilën po punohet. Kam shumë kënaqësi për lajmin shumë të gëzuar që mora nga kryeministri Thaçi, se janë në finalizim të procedurave për të nisur së shpejti punën në trajektoren Vërnicë-Merdar. Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nga ana tjetër, të dy iu kemi kërkuar ministrave tanë të shqyrtojnë të gjithë spektrin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, me qëllimin më madhor, Shqipëria dhe Kosova faktor paqeje, stabiliteti dhe integrimi rajonal e evropian.
Kryeministri Thaçi: Do të vazhdoja aty ku e la kryeministri Berisha. Ne do të vazhdojmë me projektin madhor të autorrugës Vërnicë-Merdar, që është vazhdimësi e projektit gjigant Durrës-Kukës-Morinë. Kjo do t’i afrojë të dy kryeqytetet tona dhe qytetarët tanë në lëvizjen e lirë të njerëzve, në ekonomi, zhvillimin e biznesit, modernizimin, turizmin, madje dhe për emancipim. Shqipëria është vend i jashtëzakonshëm, me potenciale të mëdha në turizmin bregdetar, por edhe Kosova është një vend i mrekullueshëm dhe me potenciale të jashtëzakonshme e mundësi për turizmin malor. Prandaj, ne po punojmë që të ndodhë sa më shpejt investimi në pjesën shumë të bukur të Rezovicës dhe kjo pjesë, një vend i jashtëzakonshëm i interesimit të njerëzve, i bukur dhe i mundësive, që shtrihet në trekëndëshin Kosovë-Maqedoni-Shqipëri. Do të jetë një vend i jashtëzakonshëm në kuptimin e interesimit të qytetarëve për turizmin malor. Ne po i afrojmë kryeqytetet dhe qytetarët e vendeve tona dhe po krijojmë mundësi më të mëdha për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë. Bashkëpunimi nuk fillon sot, ai ka ekzistuar edhe më herët, por këtej e tutje do të jetë bashkëpunim ndërshtetëror. Si dy shtete të pavarura, ai do të jetë më i avancuar, më konkret dhe më i implementueshëm në të gjitha sferat.
Në Kosovë, në enklavat serbe po krijohen Kuvendet paralele të serbëve, duke mos njohur autoritetin e qeverisë së Kosovës, UNMIK-ut apo EULEX-it. I keni lënë këto për të injoruar serbët në Kosovë, keni frikë prej tyre apo thjesht Kosova po shkon drejt ndarjes faktike të saj?
Kryeministri Thaçi: E para, Kosova është shtet i pavarur, sovran, unik dhe i pandashëm. Integriteti territorial i Kosovës është i garantuar dhe është i njohur ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër, duhet bërë ndarja e qartë mes serbëve shtetas të Republikës së Kosovës, që janë të përfaqësuar në parlamentin e Kosovës, në qeverinë e drejtuar nga unë, por edhe në autoritetet vendore. Në Kosovë nuk do të ketë enklava, do të ketë lëvizje të lirë dhe të tillë ka në tërë territorin e Kosovës. Në Mitrovicë po punohet bashkërisht me ndërkombëtarët që të shtrihet autoriteti i institucioneve të shtetit të Kosovës në tërë territorin, natyrisht, edhe me mbështetjen ndërkombëtare. Asnjë pretendim që mund të qaset për ndonjë destabilizim apo për ndonjë ndarje etnike apo territoriale të Kosovës nuk do të ketë sukses. Shteti i Kosovës është në procesin e formësimit integrues dhe ndëretnik. Ka vite të tëra që nuk ka ndodhur asnjë incident ndëretnik në vend. Prandaj, do të ketë vetëm tolerancë, mirëkuptim dhe respekt edhe për serbët, qytetarë të Kosovës. Ndërsa Serbia, si shtet fqinj i Kosovës, është diçka tjetër dhe ne po përpiqemi të ndërtojmë raporte ndërshtetërore. Prishtina ka qenë e gatshme të bashkëpunojë në çështjet teknike që janë të domosdoshme për paqen stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, por edhe ndërshtetëror, Beograd-Prishtinë.
Ju prezantuat këtu kolonat kryesore të bashkëpunimit në sektorët strategjikë. Shqipëria është tani në fazën e diskutimit të propozimit për projektin e ndërtimit të një TEC-i në Kosovë. Kjo është e specifikuar tashmë, por a ka ndonjë afat?
Kryeministri Berisha: Ne po e konsiderojmë shumë seriozisht projektin për termocentralin. Në Kosovë do të ndërtohet një termocentral gjigant “Kosova C” dhe, për shkak të përmasave dhe kompleksitetit të procedurave, normale për një vepër kaq të madhe, ne, krahas qenies aksionarë te “Kosova C” mbi baza tregtare me kompanitë që do të fitojnë, po shqyrtojmë mundësinë e një burimi të ri energjitik të përbashkët, më modest, në përputhje me mundësitë tona buxhetore deri në 500 megavat, i cili iu jep përgjigje disa nevojave të ngutshme aktuale energjitike të të dy vendeve.
A do të ketë nga pala kosovare një investim të tillë, si ai i ndërtimit të TEC-it në Kosovë, investim i cili do të funksionojë në këta sektorë strategjikë të të dy vendeve?
Kryeministri Thaçi: Ne do të investojmë si qeveri në shumë drejtime, por, para së gjithash, kemi diskutuar për projekte konkrete në porte, në turizëm, energji dhe sektorë të tjerë. Grupet ndërministrore dhe ndërshtetërore do t`i diskutojnë edhe në aspektin profesional këto projekte të përbashkëta.
Ju jeni dy kryeministrat, apo njerëzit më të votuar në hapësirat shqiptare. Ditët e fundit, zgjedhjet në Maqedoni patën probleme në zonat shqiptare. Shqiptarët, edhe më tutje, ballafaqohen me probleme fondamentale për demokraci. Kemi probleme edhe më tej me shqiptarët e Luginës së Preshevës, apo shqiptarët në Maqedoni dhe në Mal të Zi. A është e mundur që të ketë një organizim apo një iniciativë, qoftë dhe informale që këto çështje të debatohen mes shqiptarëve? Si mund të zgjidhen këto probleme, të cilat nuk do t`i rendisnin shqiptarët vazhdimisht si problematikë për sa iu përket çështjeve të demokracisë?
Kryeministri Berisha: Shqiptarët dhe demokracia janë çështje themelore, sepse demokracia, në thelbin më të vërtetë të saj, është shfrytëzim i lirisë, është ndërtesë që ngrihet mbi vlerat e lirisë. Duke e parë historinë jashtë romantizmave dhe me realizëm, ne jemi të fundit që u bëmë të lirë. Kjo është historia jonë. Në këtë kontekst, mendoj se një komb me histori të shkurtër, - jo se e deshëm ne, por kështu është historia - ka një rrugë për të bërë, për të pasur koncepte më të drejta për të. Për shqiptarët, liria ka qenë aspiratë, tani është realitet. Por, pavarësisht nga problematika, dy gjëra nuk duhet të harrojmë: duhet të krahasohemi me kombet që kanë liri shekullore dhe është fat i madh, sepse në kuptimin e demokracisë, shqiptarët përftojnë shumë nga kjo. Nga ana tjetër, ne jemi vende të varfëra. Shqipëria vjen nga një varfëri ekstreme, por edhe Kosova jo e mëkëmbur, ndërkohë që këto ndodhin në një botë të pasur, në një Evropë të pasur. Por, në tërësi, zhvillimet shqiptare janë zhvillimet më pozitive. Kishte një problem me zgjedhjet në Maqedoni, por ai u zgjidh në raundin e dytë të tyre. Raundi i dytë ishte i përsosur, nuk pati asnjë problem. Megjithatë, kur je në rrugën e demokracisë, problemet krijohen, por ato korrigjohen, zgjidhen. Pra, mund të them se ne jemi popuj të lirë dhe kjo përbën gjënë më të madhe për ne.
Kryeministri Thaçi: Me kryeministrin Berisha jemi takuar, edhe kur të dy kemi qenë në opozitë. Por të dy kemi besuar te këto vlera që ne përfaqësojmë sot, si qeveri të dy vendeve të pavarura. Të dy kemi besuar në paqen dhe stabilitetin në rajon. Ndaj, aty ku ka progres dhe zhvillim të vlerave demokratike, është sinjal i mirë për të gjithë. Ndaj, edhe zhvillimet me Maqedoninë janë zhvillime, të cilat, nga këndvështrimi ynë, kanë të bëjnë me ndërtimin e raporteve ndërshtetërore, jo vetëm me partitë politike shqiptare, por i bashkëpunimit ndërshtetëror. Ky është një bashkëpunim i ngushtë. Në të njëjtën kohë, ne duam dhe i inkurajojmë të gjithë për më tepër rend demokratik, për më tepër pjesëmarrje, për më tepër afirmim të vlerave demokratike dhe qytetare. Pushteti ka pozitë e opozitë, ashtu siç ndodh edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, prandaj beteja për pushtet nuk zhvillohet për jetë a vdekje.
Ndërkohë, është për t’u përshëndetur pjesëmarrja në jetën e avancuar demokratike të qytetarëve shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Gjithashtu, edhe nga kontaktet e drejtpërdrejta që kemi me qeverinë e Malit të Zi, me kryeministrin Gjukanoviç, është për t’u përshëndetur krijimi i mundësive për pjesëmarrje dhe aktivizim të komunitetit shqiptar në Malin e Zi, në bazë të mundësive të tyre. Pra, në rajon po krijohen realitete të reja, të bashkëpunimit dhe integrimeve, jo në baza etnike, por mbi baza të demokracive qytetare.
Cili është efekti i mbivendosjes ose paqartësisë mes dy misioneve që operojnë në Kosovë, EULEX dhe UNMIK? Çfarë rrezikon Kosova nga kjo përplasje?
Kryeministri Thaçi: Në Kosovë nuk ka përplasje të prezencës civile ndërkombëtare. Ajo është një prezencë që e ndihmon Kosovën, e këshillon dhe që i hap perspektivën për integrim të vendit në strukturat e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian. Është një prezencë këshilluese për institucionet e Kosovës. Mendoj se kjo është një prezencë që i është dashur dhe i duhet ende Kosovës, prezencë e ftuar dhe e mirëpritur prej institucioneve shtetërore të Kosovës. Ndaj, ne ndihemi mirë me prezencën këshilluese civile ndërkombëtare dhe me prezencën aktive të qëndrueshme të NATO-s, në Kosovë.
Në të ardhmen, a mendoni se do të ketë një bashkim të Kosovës e Shqipërisë apo e përjashtoni në mënyrë kategorike këtë?
Kryeministri Thaçi: Së pari, ky është viti i një rëndësie historike për rajonin. Shqipëria mori ftesën për në NATO dhe unë ju shpreh urimet e mia, zoti kryeministër dhe gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Së dyti, shqiptarët, kudo që ata jetojnë, kurrë në historinë e tyre politike nuk kanë qenë më të avancuar, më stabël dhe në pozicion më të mirë. Në këtë mënyrë, do të ketë vetëm ecje përpara për të gjithë qytetarët e rajonit. Të dy vendet tona punojnë për mosndryshim të kufijve, por punojnë edhe për hapje, demokratizim dhe për një model e realitet evropian, si rajon i bashkëpunimit dhe integrimit.
Kryeministri Berisha: Për sa i përket pyetjes lidhur me bashkimin mes dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje përfundimtare pavarësia e Kosovës. Në bindjen time më të thellë, pavarësia e Kosovës ka qenë dhe është projekti më i besuar, më madhor, projekti për të cilin dhe rreth të cilit qytetarët e Kosovës ndërtuan rezistencën më legjendare të kohërave moderne, sepse, ashtu siç e theksova, pavarësia e Kosovës është një kryevepër e qëndresës. Ky projekt është projekti më i respektuar në Shqipëri. Kur të huajt më pyesin lidhur me këtë çështje, unë i mirëkuptoj ata, sepse e kanë nga ndikimi i fobive të trashëguara për shqiptarët. Por, kur këtë pyetje ma bëjnë shqiptarët, unë çuditem.