E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesi i legalizimeve, zv/ministri: Drejt përfundimit 100 mijë dosjet e para

TIRANE- Parlamenti miratoi para pak ditësh ndry shimet në ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, i cili i hap rrugën amnistimit të objekteve informale të ndërtuara pas vitit 2006. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit, Flamur Kuçi, sqaron si do trajtohen nga ligji i ri 80-100 mijë objektet e reja që presin formalizimin. Ndërsa shpjegon se janë rreth 100 mijë familje shqiptare që do të përfitojnë nga ndryshimet ligjore, zëvendësministri thekson se gjatë hartimit të kuadrit të ri ligjor është bërë kujdes i veçantë që të mos përfshihen në procesin e legalizimit objektet informale të ndërtuara në trojet e pronarëve të ligjshëm. Në intervistë Kuçi thekson se nga rreth 200.000 dosje subjekt vlerësimi për legalizim, afro gjysma e tyre janë në përfundim të procesit të miratimit. Po ashtu vlerësohen që janë rreth 60.000 dosje që nuk kërkojnë kalim pronësie dhe që mund të evadohen brenda një kohe të shkurtër. Kuçi shpjegon gjithashtu se menjëherë pas miratimit nga parlamenti të kuadrit të ri ligjor për legalizime, ka nisur puna për përgatitjen e akteve nënligjore ku do të bazohet procesi. Zëvendësministri vlerëson se numërohen rreth 60.000 dosje që nuk kërkojnë kalim pronësie dhe që mund të evadohen brenda një kohe të shkurtër. Parlamenti miratoi para pak javësh ndryshimet ligjore në ligjin për legalizimet, gjë që u hap dritën jeshile amnistimit të ndërtimeve pa leje të ngritura pas vitit 2006. Përse lindi nevoja për këto ndryshime? Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është një pjesë e rëndësishme në kompleksin e reformave të pronësisë të ndërmarra në 8 vitet e fundit nga kjo maxhorancë. Kjo nuk është një reformë e shkëputur dhe nuk mund të kuptohet si një proces solitar, por si një proces që ndërvepron me sfidën e menaxhimit dhe kontrollit të territorit. Në këtë kontekst, kjo maxhorancë ka ndërmarrë në mënyrë të vazhdueshme reforma që synojnë ngritjen e aftësisë së pushtetit vendor në kontrollin e menaxhimin e territorit. Në mënyrë konstante pushtetit vendor i është dhënë gjithnjë e më shume autoritet dhe instrumente për të planifikuar dhe kontrolluar territorin urban. Mjafton të kujtoj ndryshimet e rëndësishme në ligjin e planifikimit të territorit si dhe ato në ligjin për inspektimin e punimeve në ndërtim për të kuptuar vullnetin e qeverisë për të aftësuar pushtetin vendor në procesin e rëndësishëm të menaxhimit urban. Por nga ana tjetër duhet kuptuar që ky është një proces dhe ky proces kërkon kohën e duhur. Sfida e kontrollit mbi territorin është një sfidë themelore kryesisht e pushtetit vendor, pa dallim ngjyrash partiake. Derisa pushteti vendor të arrijë të dominojë procesin e rëndësishëm të menaxhimit të territorit, qeveria është e angazhuar në marrjen përsipër të kostove të zhvillimit. Kjo maxhorancë nuk mund të mos marrë në konsideratë nevojën e madhe për zhvillim dhe ndërtim që ka vendi ynë. Për këtë arsye, kjo maxhorancë iu përgjigj pozitivisht nevojës së tregut dhe shoqërisë për të vazhduar procesin e formalizimit të një pjese të rëndësishme të pasurive të këtij vendi, ndërtuar me mundin dhe djersën e shqiptarëve. Kjo nevojë është artikuluar qartë edhe nga institucione ndërkombëtare si Banka Botërore, që ndihmojnë shtetin shqiptar në përballimin e sfidës së territorit. Sa objekte mendoni se do të jenë subjekt i këtij ligji. 

Në vlerësimin tuaj, sa qytetarë apo familje do të kenë interes të drejtpërdrejtë në këtë proces? Cilat janë ndryshimet më të rëndësishme që sjell në skenë ligji i ri i legalizimeve. Çfarë përfitojnë qytetarët konkretisht nga këto ndryshime? 
Raporti i Bankës Botërore vlerëson të jenë rreth 80.000 objekte ekstraligjore të ndërtuara pas vitit 2006. Kjo do të thotë që 80.000 deri në 100.000 familje do përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo reformë. Gjithsesi, vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare nuk raportojnë specifikisht mbi problematikën e zhvillimeve ilegale, që do të thotë ndërtime në tokë pronësi të të tjerëve. Në këtë kontekst ligji ka qenë i kujdesshëm në përfshirjen e këtyre aseteve në procesin e rëndësishëm të formalizimit. Nga ana tjetër, reforma synon të japë sinjale të qarta të mosmbështetjes së fenomenit të pushtimit të tokës. Ky ligj ka qenë i vëmendshëm në shtrirjen e afatit të legalizimit vetëm për objekte që janë ndërtuar në tokën e tyre, pra jo për objekte që janë ndërtuar në toka të pushtuara. Ky element i jep këtij ligji moralitetin e duhur dhe balancën e duhur mes shtresave të ndryshme shoqërore. Gjithashtu, ligji rregullon edhe aspekte teknike të dala në terren që kanë lidhje me bashkëpronësinë e truallit për shtesat e pallateve. Një sërë rastesh të shtesave në pallate janë penguar në proces për shkak se një pjesë e banorëve nuk paguajnë tarifat e kërkuara me ligj, duke penguar në legalizim edhe banorët e tjerë bashkëpronarë në këto pallate. Zgjidhja tashmë e këtyre teknikaliteteve çliron këta banorë nga pengu i spekulantëve që i bëhen barrë procesit. Në materialin referues që shoqëronte projektligjin shpjegohej se ligji i ri propozon zgjerimin e numrit dhe natyrës së objekteve që do të legalizohen, duke specifikuar se bëhet fjalë për ndërtime që nuk janë legalizuar më parë. Ligji ndërhyn në disa aspekte. Së pari, përfshin në proces të formalizimit një sasi të vlerësuar rreth 80.000 objektesh të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të objekteve për formalizim në rreth 280.000, që është një pjesë e konsiderueshme e pasurisë së shqiptarëve që nuk mund të neglizhohet dhe të nënvlerësohet. Gjithashtu, brenda kontigjentit ekzistues vlerësohen të jenë rreth 40.000 njësi, që për teknikalitete të procesit apo për pengesa të vetë spekuluesve në proces që nuk duan t’i përgjigjen procesit me pagesat e duhura dhe të kërkuara nga ligji, tashmë çlirohen dhe janë të gatshme për t’u zhbllokuar. Duhet thënë që pjesa dërrmuese e këtyre të fundit janë shqyrtuar në proces, çka do të thotë që me eliminimin e barrierave teknike, ky kontingjent është i gatshëm për t’u legalizuar. 

Pas ndryshimeve në legjislacion, cilat janë hapat e tjera që do ndiqen për nisjen e procesit të legalizimit të këtyre ndërtimeve? Mund të na jepni ndonjë detaj lidhur me procedurat e tjera teknike e administrative nëpër të cilat do të kaloje procesi, ashtu si dhe të institucioneve të përfshira në të? Mund të na thoni diçka mbi termat kohore të procesit? Kur do të nisin aplikimet, si do të veprojnë qytetarët për të aplikuar për lejet e legalizimi, sa do të zgjasë shqyrtimi i tyre, kur do të mund të kenë në dorë qytetarët lejet e legalizimeve? 
Ligji stipulon qartë që pas aprovimit të tij, do jenë aktet nënligjore që specifikojnë dhe detajojnë kriteret dhe procedurat për përfshirjen e objekteve të ndërtuara pas 2006 në procesin e formalizimit. Menjëherë ka filluar puna për hartimin e këtyre akteve dhe brenda një kohe krejt të shkurtër do ndërtohet infrastruktura e duhur për të përfshirë këto njësi në proces. Nga ana tjetër ligji ngarkon ALUIZN-in për fillimin e procedurave të nevojshme për rifotografimin e situatës, duke krijuar kështu një bazë të mirë informative për udhëheqjen e këtij procesi. Në këtë drejtim do ndërtohet edhe mbi eksperiencën e krijuar deri tani në zhvillimin e bazës së të dhënave mbi territorin dhe ndërtimin e sistemeve GIS. Ndërkohë që për një pjesë të mirë të volumit ekzistues janë në fuqi aktet e nevojshme nënligjore për të zhbllokuar dosjet që pengoheshin nga hija e spekulantëve të procesit. Qeveria ka premtuar se do të përfundojë deri në vitin 2013 legalizimin e objekteve pa leje të ndërtuara deri në vitin 2006. 

Si e mendoni procesin e legalizimeve në tërësi, veçanërisht tani, kur pas ndryshimeve ligjore, listës së ndërtimeve për t’u legalizuar u shtohen edhe 80-100 mijë objekte të reja? 
Kuptohet që ky ka qenë një proces kompleks, i vështirë dhe që ka njohur sfida të rëndësishme. Fatkeqësisht, megjithëse nga kjo maxhorancë është konsideruar një reformë në themel të reformës së pronësisë, procesi ka njohur shumë shpesh edhe kundërshti të motivuara politikisht. Kjo ka çuar edhe në pe ngesa të paarsyeshme me shpresën e krijimit të kapitalit të nevojshëm politik për të krijuar pakënaqësi me procesin. Ka qenë dhe është vullnet i qartë i kësaj maxhorance, përmbyllja me sukses brenda një kohe sa më të shkurtër i kësaj reforme. Nga rreth 200.000 dosje subjekt vlerësimi për legalizim, afro gjysma e tyre janë në përfundim të procesit të miratimit të legalizimit nga Këshilli i Ministrave. Duhet theksuar që nga ky moment e mbrapa, procesi varet dukshëm edhe nga vullneti i njerëzve për t’iu përgjigjur detyrimeve për legalizim. Nga ana tjetër, duhet theksuar që kjo sasi është pjesë e kontigjentit që kërkon kalim pronësie të truallit, pasi është e ndërtuar në tokë në pronësi të tjetërkujt. Pra, me evadimin e këtyre dosjeve, procesi njeh një zhvendosje themelore pozitive. Ndërkohë vlerësohen që janë rreth 60.000 dosje që nuk kërkojnë kalim pronësie dhe që mund të evadohen brenda një kohe të shkurtër. Kuptohet që kompleksiteti i procesit i bën objektivat e qeverisë objektiva ambiciozë, por duhet thënë që rikonceptimi strukturor dhe marrëdhënia e rëndësishme me pushtetin vendor në përmbylljen e këtij procesi jep konfidencën e duhur që procesi të përmbyllet me sukses në afatet e caktuara.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›