E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i liberalizimit të vizave do të marrë kohë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, nuk ka dashur të spekulojë se kur kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në Evropë, por ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave do të marrë kohë dhe mund të zgjasë me vite.

Lunaçek ka shprehur bindjen se Kosova do të përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave, do të bëjë regjistrimin e popullsisë dhe të bëhet me pasaporta biometrike.

“Nuk jam profet. Nuk jam ajo që ndjek procedurat, por varet nga Qeveria e Kosovës. Nëse bëni regjistrimin e popullsisë në vitin e ardhshëm, pasaportat biometrike, kontrolli i menaxhuar i kufijve, çështjet fundamentale të të drejtave të njeriut në vendin tuaj për të gjitha grupet etnike, përfshirë edhe minoritetet. Ka edhe gjëra tjera për të bërë, luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar. Ky nuk është vetëm me rastin e vendit tuaj, por edhe të vendeve tjera. Këto janë gjëra që duhet bërë dhe do të marrë edhe disa vjet, mos më pyetni saktë, se nuk jam në gjendje t’ju them”, ka thënë Lunaçek.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit është prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe se po punohet në lëshimin e pasaportave biometrike si një ndër kushtet për një gjë të tillë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›