E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vinte nga Austria, përmbyset treni i mallrave

AMORTIZIMI/ Në linjën hekurudhore Shkodër-Hani i Hotit është shënuar incidenti i dytë brenda katër ditësh


Katër nga vagonët kanë mbetur të bllokuar, ndërkohë që pjesa e mbetur është tërhequr mbrapsht


SHKODËR - Amortizimi i linjës hekurudhore Shkodër-Han i Hotit, e vetmja linjë ndërkombëtare në llojin e saj, ka sjellë daljen nga shinat të një vagoni mallrash që vinte nga Austria.


Rreth orës 15:00, jo larg ish-stacionit të mallrave në Shkodër, i cili tashmë është i kthyer në një gërmadhë, një tren me 21 vagona që vinte nga Austria dhe që ishte i ngarkuar me pije freskuese, lëngje frutash etj, ka dalë nga shinat, në segmentin mes ish-kombinatit të drurit dhe stacionit të mallrave.


Lokomotiva në sajë dhe të manovrimit të saktë të mashinistëve ka mundur të shpëtojë, ndërsa katër vagonat që ishin pas saj kanë dalë jashtë, ku njëri është përmbysur.


Lajmërimi i menjëhershëm i strukturave të hekurudhës, ka bërë të mundur shkëputjen e 17 vagonave të tjerë, të cilët më pas janë kthyer drejt Bajzës, në stacionin ndërkombëtar të mallrave, pasi vazhdimi i rrugës ka qenë i pamundur. Shkak për këtë dalje nga rruga të këtij treni mallrash ka qenë amortizimi i linjës hekurudhore, e cila në një gjatësi rreth 60 metër linear ka dalë jashtë funksionit.


Dy mashinistët dhe kryetari i trenit nuk janë dëmtuar. Sipas specialistëve të hekurudhës, amortizimi ka ardhur nga kalbja e traversave dhe mungesa e bulonave që lidhin shinat me traversën, të cilat mungojnë prej kohësh, por dhe që shpesh bëhen objekt i vjedhjes, pasi duke qenë prej hekuri shiten për skrap.


Linja hekurudhore nga Hani i Hotit në Shkodër, ka qenë objekt i një investimi të shtetit në vitin 2006, investim që sipas punonjësve të hekurudhës nuk ka rezultuar efikas. Vetëm para katër ditësh, në afërsi të Bajzës, ka pasur një rast të ngjashëm ku një tren mallrash i ngarkuar me skrap dhe që vinte nga Bullgaria ka dalë nga shinat.


Rasti i së martës ka qenë i dyti brenda pak ditësh, ndërsa rehabilitimi i pjesës së dëmtuar të hekurudhës kërkon së paku 24 orë. Kjo do të thotë që bizneset që kanë zgjedhur linjën hekurudhore si mjet transporti të mallrave, nuk do të mund ta përdorin atë dhe trenat e mallrave që hyjnë në Shqipëri nga vende të ndryshme do të qëndrojnë të bllokuar në stacionin e Bajzës deri në rehabilitimin e linjës së dëmtuar.


Sipas punonjësve të hekurudhës, pritet ardhja e mjeteve të posaçme, siç janë vinçat, për të bërë të mundur lëvizjen e vagonit të rrëzuar dhe spostimin e tre vagonave të tjerë të dalë nga shinat, në mënyrë që të ndërhyhet në rehabilitimin e linjës.


Duke u nisur nga fakti se vagonat janë me mall, kryesisht mall ushqimor, nga drejtuesit e hekurudhës në Shkodër është kërkuar ndihma e policisë së rendit për të ruajtur vendin ku është rrëzuar treni i mallrave.


Malli i cili ka qenë në vagonin e rrëzuar nuk ka pësuar dëmtime, por dëmin më të madh e pëson biznesi i cili kërkon dërgimin e mallit në destinacion në kohën e duhur dhe të gjitha vonesat që bëhen janë në dëm të tij, shprehen punonjësit e hekurudhës të pranishëm në vendin ku u rrëzua vagoni.


Aksi hekurudhor Shkodër - Bajzë është mjaft i rëndësishëm pasi Bajza është dhe i vetmi stacion hekurudhor ndërkombëtar, prej nga i cili lëvizin trena me mallra që vijnë prej vendeve të Evropës e anasjelltas.


Për këtë, më 2006-n u investua me 34 108 319 lekë të reja për përmirësimin e linjës hekurudhore, rehabilitimin e rrjetit ekzistues me qëllim rritjen e shpejtësisë së lëvizjes së trenave, sigurisë së tyre dhe ndriçimin e plotë të stacionit hekurudhor të Bajzës.


Por pavarësisht kësaj, amortizimi vazhdon të jetë një problem për hekurudhën, e cila përveç dëmeve nga kalimi i viteve dhe mosefikasiteti i investimeve, vuan dhe dëmtimet nga njerëzit.


Vetëm pak ditë më pare, një person u ndalua pasi po në këtë segment hekurudhor kishte vjedhur pajisjen prej hekuri që shërben për t'i ndryshuar lëvizjen trenave. Siç shprehen specialistët e hekurudhës, këto fenomene janë mjaft shqetësuese dhe të shpeshta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›