“Procesi i numërimit, transparent dhe korrekt”

Ambasadori i OSBE-së Wollfarth takon kreun e KQZ-së Ristanin
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth ka zhvilluar dje një takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Vizita e kreut të OSBE-së ishte e papritur, ndërsa KQZ po numëronte votat e njësisë bashkiake nr. 8. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Leonard Olli, vizita e ambasadorit të OSBE-së në mjediset e këtij institucioni ishte e rastësishme, ndërkohë që Wollfarth u ndal për pak çaste në hyrje të sallës së Komisionit, ku prej pesë ditësh po vijon numërimi i fletëve të hedhura në kutinë e gabuar në njësitë bashkiake të kryeqytetit.
“Erdha për të vëzhguar nga afër procesin e numërimit”, tha ambasadori i OSBE-së në prononcimin e tij të shkurtër për mediat, ndërsa ndiqte me vëmendje numërimin e çdo vote në prani edhe të dhjetëra kamerave të televizioneve të ndryshme të akredituara aty. Ai shtoi se integriteti dhe transparenca e këtij procesi, janë shumë të rëndësishme si dhe rrisin sigurinë e zgjedhjeve vendore.
“Integriteti i procesit dhe transparenca janë shumë të rëndësishme në këtë moment. Për këtë arsye kam ardhur të vëzhgoj nga afër procesin e numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar. Kjo ishte ajo që u diskutua dhe nuk kam çfarë të them më tepër për këtë takim”, u shpreh Wollfarth.
Më pas, ambasadori i Prezencës së OSBE-së zhvilloi një takim të shkurtër me kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani.
Ambasadori Wollfarth dhe në tërësi trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, kanë shprehur interes të fortë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, teksa me praninë e tyre gjatë numërimit në KZAZ kanë ndikuar pozitivisht duke qetësuar klimën mes palëve në interes të përfundimit të shpejtë të procesit dhe jo zvarritjes së tij.