Përfundon numërimi i votave të hedhura gabim - Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës, me 95 vota më shumë se rivali
Përfundon numërimi për 11 njësi bashkiake të Tiranës, kandidati demokrat në avantazh ndaj rivalit socialist. Pas përfundimit të numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara, kandidati i “Aleancës për qytetarin”, Lulzim Basha, ka rezultuar në avantazh ndaj rivalit të tij socialist, Edi Rama.
KQZ e mbylli procesin me numërimin e fletëve të panumëruara në kutitë e njësisë 11, KZAZ nr.55, që është dhe njësia e fundit që përmbyll këtë proces, në kuadër të zgjedhjeve vendore për bashkinë Tiranë. Vetë zv.ambasadori i OSBE, Dan Redford, vëzhgoi procesin e numërimit. Nga numërimi rezultoi se në garën për Bashkinë e Tiranës kandidati demokrat, Lulzim Basha është në avantazh me 95 vota para rivalit të tij socialist, Edi Rama.
Zëdhënësi i KQZ, Leonard Olli deklaroi se shifrat e dala këto 5 ditë do të përpunohen dhe më pas do t’i shtohen tabelës përmbledhëse të rezultateve. “Të gjitha shifrat që kanë dalë tashmë nëpërmjet tabelat respektive po përpunohen nga drejtoria e teknologjisë dhe informacionit dhe menjëherë do kalohet në publikimin e shifrave përfundimtare”.
Zëdhënësi i KQZ theksoi se procesi i rinumërimit të votave të të 11 njësive bashkiake të Tiranës të hedhura gabim në kutitë e votimit, ka qenë transparent dhe i sigurt.
“Në këndvështrimin tonë dhe prezencën tuaj çdo gjë është operuar maksimalisht në mënyrë dhe transparent. KQZ regjistron tërë kohën çdo gjë që ka ndodhur këto ditë në këto salla. Saktësia nuk mund të diskutohet. Transparenca është pjesë e punës sonë integrale”.
...