E Enjte, 5 Nëntor 2026

Procesi për zgjedhjen e Presidentit, Grupi parlamentar i PD propozon bojkotin, pa emra në raundin e tretë

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar mbledhjen për procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri. Në mbledhjen e grupit parlamentar, deputeti Gazment Bardhi ka deklaruar duhet ta konsiderojnë të mbyllur procesin për zgjedhjen e Presidentit pasi sipas tij Edi Rama e ka paracaktuar Presidentin. Bardhi propozoi që PD të mos e vijojë më këtë proces, pasi sipas tij Rama është tërhequr nga marrëveshja.

“Që në nisje të procedurës për zgjedhjen e Presidentit ky grup ka thënë publikisht që Edi Rama e ka paracaktuar Presidentin. Opozita duhet të hynte në proces për t’i rrëzuar maskën e fasadës sikur donte President konsensual.  Në respekt të zgjedhësve tanë ne nuk bojkotuam procesin, ofruam në mënyrë parimore rregullat e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual, për t’i ofruar shqiptarëve një President konsensual. Shumica ra dakord publikisht për propozimin e procedurës së propozuar nga ne. Vetëm pas nisjes së procesit dhe propozimeve me emra konkret të grupit, Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja. Pas tërheqjes nga marrëveshja publike, unë mendoj që grupi ynë duhet ta konsiderojë të mbyllur këtë proces. Edi Rama prishi marrëveshjen me opozitën, sepse nuk do një president për shqiptarët. Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja, sepse e ka paracaktuar Presidentin. Prandaj unë mendoj që grupi duhet të dal me një deklaratë ku të sqarojë këtë pozicion dhe ne nuk duhet të vazhdojmë më me këtë pasi maska e fasadës së Edi Ramës ka rënë”, ka thënë Bardhi.

Në të njëjtën linjë ka qenë dhe deputetja Jorida Tabaku e cila ka thënë se i duhet dhënë fund pjesëmarrjes në procesin e zgjedhjes së presidentit. Ajo theksoi se Edi Rama vërtetoi edhe njëherë se nuk i qëndron marrëveshjeve.

“Grupi diskutoi dhe mbajti një qëndrim dinjitoz. Ne u qëndrojmë parimeve. Rama tregoi që edhe këtë herë nuk iu qëndron marrëveshjeve. Duhet t’i japim fund pjesëmarrjes në procesin e zgjedhjes presidentit”, tha Tabaku.  Edhe për deputetin Ferdinand Xhaferraj Partia Demokratike nuk duhet të vijojë më me procesin për zgjedhjen e Presidentit, pasi deri më tani nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim. Xhaferraj tha se PD ka treguar se nuk është as si Rama dhe as si Berisha.

 “Tani s’duhet të vazhdojmë më. Ne sduhet të bëjmë gabime. Deri tani kemi mbajtur qëndrim. Pra morëm pjesë në proces. Ne si grup kemi rënë dakord që bojkoti është gabim. Bëmë një mbledhje shumë të mirë grupi parlamentar ku propozuam 8 emra, prodhuam 8 emra. Tani Taulant Balla doli bllof, doli lakuriq. Dhe pavarësisht shkuam deri këtu. Rama dëshmoi që ky i do të gjitha vetë. Dhe po ju tregojmë që s’jemi as si Rama. Dëshmuam që s’jemi si Saliu”, u shpreh Xhaferraj.

Sipas vendimit të Konferencës së Kryetarëve mbledhur më 24 maj, kandidaturat për postin e presidentin të Shqipërisë mund të dorëzohen deri më datë 29 maj. Kujtojmë se raundi i parë dhe i dytë për zgjedhjen e presidentit u ezauruan më 16 maj dhe 23 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura. Kujtojmë se raundi i tretë do të mbahet në 30 maj. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›