E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prodhimet artizanale në interesin e të huajve, Fatjona dhe Bledi prej dy vitesh me këtë aktivitet

Të nxitur nga interesi i herëpashershëm i të huajve për produkte artizanale vendase, Fatjona Merko së bashku me bashkëshortin e saj kanë dy vite që merren me tregtimin e produkteve artizanale, si gliko, bimë medicinale, pije tradicionale dhe të tjera produkte vendase që tërheqin vëmendjen e kalimtarëve dhe turistëve.

“Më pëlqejnë shumë produktet tuaja artizanale. Provova mjaltin, glikonë… ishin me të vërtetë fantastike, madje kam marrë edhe me vete për t’ua çuar miqve dhe familjarëve të mi. Jam e sigurt që edhe ata do t’i pëlqejnë po aq sa edhe unë.“

“Ishte shumë interesante kur mësuam që gjithë këto bimë vinin nga malet përreth dhe morëm disa prej tyre.“

Ndërkohë, Bledi, përveç punës së përditshme me blegtorinë, herë pas here mbledh edhe çajra dhe fruta të egra në zonën përreth Këlcyrës, duke kontribuar në ofertën gjithnjë e më të pasur të produkteve natyrore.

“Duke parë që kishte turistë të huaj, edhe nga vendasit kërkoheshin bimë, hapa tezgën me gjithë zonjën,” shprehet z. Merko.

Fatjona shprehet se kjo punë i jep kënaqësi, jo vetëm për të ardhurat që siguron, por edhe për mundësinë që ka për t’i prezantuar të huajve dhe vendasve traditat dhe shijet e zonës së saj.

“Turistët e huaj janë kureshtarë të provojnë trahananë, petat, glikotë e ndryshme…” thotë artizania.

Për shumë banorë të zonës, tregtimi i produkteve vendase është shndërruar në një mënyrë të qëndrueshme për të siguruar të ardhura ekonomike.

Gazetar: L. Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›