Prodhimi i naftës trefishon të ardhurat
Rritja e prodhimit, si dhe çmimi shumë më i lartë këtë vit, bëri që të ardhurat e realizuara nga burimi minerar i Patos-Marinzës të arrijnë në 35 milionë dollarë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, nga vetëm 13 milionë dollarë që qenë vitin e kaluar. Prodhimi mesatar ditor arriti në 8282 fuçi, (afërsisht 1400 tonë) ndërkohë që vitin e kaluar prodhimi pati qenë 7234 fuçi në ditë. Në të njëjtën kohë, çmimi i naftës shqiptare u rrit pothuajse dyfish nga 24.73 dollarë për fuçi në 47.16 dollarë. Qeveria shqiptare përmes “Albpetrol” fitoi këtë vit mesatarisht 9.65 dollarë për fuçi nga e drejta e shfrytëzimit që i është dhënë një kompanie private për nxjerrjen e naftës. Në tremujorin e parë të vitit 2009, të ardhurat e qeverisë patën qenë 6.61 dollarë për fuçi. Shumica dërrmuese e naftës së nxjerrë në zonën e Patos-Marinzës u eksportua për në rafineritë italiane përmes Portit të Vlorës. Vetëm në prill rifilloi furnizimi i rafinerisë së Ballshit me naftë bruto vendëse.
Naftë e rëndëShfrytëzimi i burimit të Patos-Marinzës është reklamuar disa herë si histori suksesi nga qeveria shqiptare.
“Bankers Petroleum e nisi punën disa vite më parë me një vlerë tregtare prej vetëm 20 milionë dollarësh, ndërsa vlera e kësaj kompanie në bursë sot është 2.5 miliardë dollarë. Ato po shfrytëzojnë zonën e Patos-Marinzës, një nga më të mëdhatë në Europë. është naftë e rëndë, por është një nga më të mëdhatë”, deklaroi ministri Dritan Prifti pak ditë më parë, ndërsa fliste në forumin Crans Montana në Tiranë. Problemi me vendburimet e naftës së rëndë është se kostoja e nxjerrjes së saj është shumë më e madhe se sa nafta e burimeve të tjera, cilësia e naftës është e keqe dhe investimi i kërkuar është shumë i lartë. Vlerësohet që nafta e nxjerrë nga Patos-Marinza jep fitime për investitorin në rast se çmimi i naftës në bursën e Londrës është më i lartë se 70 dollarë për fuçi. Në tremujorin e parë 2010, çmimi në Londër ishte mesatarisht 76 dollarë për fuçi.
Plani i biznesit për shfrytëzimin e Patos-Marinzës synon rritjen e prodhimit në 15 mijë fuçi në ditë. (Një fuçi është e barabartë me 160 litra). Me ritmin aktual të shfrytëzimit, besohet se burimi i Patos-Marinzës do të shterojë rreth vitit 2025. Por shpresat janë që përmirësimi i teknologjisë së nxjerrjes së naftës të shtojnë jetëgjatësinë e burimit. Aktualisht rreth 10 për qind e naftës së nëntokës mund të nxirret në sipërfaqe. Në të gjithë historinë e vet, Shqipëria ka arritur vetëm në pak vite të prodhojë mbi 2 milionë tonë në vit, ndërsa pas viteve ‘90, prodhimi është ulur deri në 300 mijë tonë në vit. Vitin e kaluar, prodhimi shtetëror dhe privat i naftës bruto arriti në 600 mijë tonë. Nafta shqiptare ka një koeficient të prodhimit të diezelit apo benzinës prej më pak se 30 përqindësh. Pjesa tjetër përdoret për prodhim bitumi, koksi apo mazuti.