Malaria apo jo, përgjigjet do të vijnë nga Roma
Ndërsa gripi i shpendëve, gripi i derrave, apo fluksi i influencës stinore u largua pakkujt do t’i shkonte në mendje se sezoni turistik do të mund të niste përsëri me ankth.
Paraditen e djeshme, mjekët e shërbimit infektiv në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, kanë diagnostikuar një pacient në moshë 17-vjeçare me shenjat dhe të dhënat e sëmundjes së malaries. Menjëherë janë marrë kampionët e gjakut dhe janë dërguar për ekzaminime, megjithatë sipas specialistëve shqiptarë, modalitetet specifike për realizimin e analizave të tilla, në vendin tonë janë të kufizuara. Për këtë shkak, kampionë ekzaminimi janë dërguar me përparësi dhe shpejtësi në një nga laboratorët e njohur në kryeqytetin e Italisë. Përgjigjet nëse bëhet fjalë për malarie apo ndonjë sëmundje tjetër, pritet të vijnë në rrugë operative nga specialistët italianë.
Një gjimnazist, banor i fshatit Zall-Herr, shumë pranë kryeqytetit dyshohet se është prekur nga malaria. Ministria e Shëndetësisë dhe qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” konfirmon se 17-vjeçari i prekur nga malaria kishte disa muaj që ishte kthyer nga Greqia. Ndërkohë që grupi i mjekëve që po kujdesen për rastin ka vendosur që pacienti të izolohet në repartin e infektivit në spitalin e Tiranës. Të dhënat, shenjat, simptomat vërtetojnë që pacienti është i prekur nga malaria. “Dyshimet janë shumë të forta për malarie. Shenjat e para të çojnë drejt kësaj sëmundjeje”, ka sqaruar dje drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, njëkohësisht edhe mjek infeksionist, Pëllumb Pipero. Sakaq, mostrat e analizave janë dërguar në Institutin Sanitar në Romë, për të ekzaminuar më tej të dhënat e kampionëve të gjakut. “Morëm masa për izolimin e rastit. Për të parë hallkat epidemike dhe për të hulumtuar nëse rasti është i importuar apo është rast i marrë këtu, që ka shumë pak gjasa të ndodhë”, ka shpjeguar Pipero. Sipas tij, infektimi apo rreziku për të pasur pacientë të tillë është i pranishëm tashmë që bota është bërë e vogël dhe komunikimi është i shpejtë.
InfeksioniSëmundja e malaries shkaktohet pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Malaria është një sëmundje infektive, shkaktuar nga parazitët protozoarë. është e përhapur në mënyrë të gjerë në vendet subtropikale, duke përfshirë vende si Amerika, Afrika, Azia. çdo vit ka rreth 350-500 milionë raste me malarie, duke shkaktuar vdekjen e deri 3 milionë njerëzve, ku shumica prej tyre janë fëmijë nga zonat afrikane. Malaria shoqërohet me varfërinë.
Zakonisht, njerëzit infektohen nga malaria, pasi pickohen nga një mushkonjë e infektuar e gjinisë femërore, Anopheles.
Simptomat janë dhembje koke, vështirësi në frymëmarrje, takikardi. Ndërkohë që, simptoma të tjera janë ethet, temperatura, të vjella, rrufë dhe në raste të rënda kalon në koma dhe vdekje.
#