“Prodhohen” gazetarë, mbyllën media

Nga: Fatos Shala
Mediet e Kosovës i ka kapluar kriza financiare. Shkaku i saj disa media tani më edhe janë mbyllur, kurse, tregu për të ushtruar profesionin e gazetarit po ngushtohet çdo ditë.
Gjatë vitit të kaluar, pas gjashtë vite qëndrimi në treg u mbyll gazeta “InfoPress”. Fatin e saj e përjetoj ditë më parë edhe gazeta “Lajm”. Me mbylljen e këtyre dy medieve të shkruara shumë gazetarë mbetën pa punë. Po ashtu edhe disa nga gazetat që janë në treg për momentin, janë duke funksionuar me vështirësi të madha. Disa nga to u vonojnë pagat gazetarëve edhe me nga tre muaj.
Por, kjo krizë mediale dhe mbetja e gazetarëve pa punë, nuk është duke i brengosur fare Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Prishtinës. Këto dy institucione i kanë mbyllur sytë dhe veshët para këtij fakti dhe po vazhdojnë të “prodhojnë” për çdo vit me qindra gazetarë.
Në katedrën e Gazetarisë të Universitetit të Prishtinës çdo vit hapen mbi 100 vende të lira për studentë të gazetarisë. Kurse, rreth 60 vende për studime postdiplomike, master.
Arben Ahmeti, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, thotë se janë të shqetësuar me numrin e madh të gazetarëve që po mbesin pa punë. Por, sipas tij kjo po ndodh pasi shumë media i ka prekur kriza ekonomike.
“AGPK në disa analiza të saj ka vërejtur se tregu i punësimit të gazetarëve në Kosovë po bëhet gjithnjë e me i vështirë sikur në çdo sektor tjetër, kriza ekonomike dhe mungesa për më shumë e një zhvillimi të gjithëmbarshëm ekonomik po e prekin edhe medien dhe në këtë mënyrë edhe gazetarët. Ne si AGPK jemi të shqetësuar me numrin çdo ditë e më të madh të anëtarëve tanë që mbesin të papunë, por edhe të gazetarëve të rijnë që nuk po mund ta ushtrojnë profesionin. Si rezultat i kësaj ne po inkurajojmë angazhimin e gazetarëve të ri në format e reja të gazetarisë moderne siç është media online”, ka thënë Ahmeti për Indeksonline, duke shtuar se Ministria e Arsimit duhet të vlerësoj për secilin drejtim në UP nëse ka nevoja tregu i Kosovës për numër aq të madh të studentëve.
Kurse, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit kanë thënë për Indeksonline se deri tani nuk ka pasur një kërkesë për uljen e numrin të studentëve në ndonjë njësi akademike.
“MASHT deri më tani nuk e ka pa të arsyeshme që të mos aprovojë propozimin e Universitetit të Prishtinës. Po ashtu, as nga ana e Universitetit të Prishtinës deri më tash nuk ka pasur një kërkesë për uljen e numrin të studentëve në ndonjë njësi akademike”, ka thënë Arbër Morina Këshilltar dhe shef i Kabinetit të Ministrit Ramë Buja.
Me tutje ai ka thënë se në bazë të nevojave dhe kërkesave të njësive akademike, Universitetit i Prishtinës i paraqet propozim Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të aprovojë propozimin me numër të studentëve.
Ndërsa, Fatjona Hasani studente në vitin e dytë të studimeve në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës frikësohet se kur të përfundoj studimet do të mbesë pa punë.
“Bazuar në numrin e madh të studentëve që studiojnë gazetarinë dhe në trendin e mbylljes së medieve dyshoj se pasi të përfundoj fakultetin do të punësohem”, thotë ajo për Indeksonline.
Gazeta “Inofpress”, lajmin e mbylljes e kishte bërë duke shkuar në faqen e parë: “Faleminderit dhe Lamtumirë”. Kurse, gazeta “Lajm” lajmërimin e mbylljes e ka bërë duke dërguar një njoftim për media, në te cilin thuhej se “Lajm” është mbyllur përkosisht dhe pas një kohë do të kthehet përsëri në treg. /Indeksonline/.