Jashari: Bisedimet mund të sjellin lëshime për veriun

Nipi i ish-komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, Murat Jashari ka bërë thirrje që të punohet për të mirën e vendit dhe të mos pritet që vetëm Bashkësia Ndërkombëtare ta bëjë këtë.
Jashari ka thënë se historia e popullit shqiptarë nuk duhet harruar pa marrë parasysh se çfarë është ajo.
Sipas tij 100 vjetori i pavarësisë nuk e ka gjetur Shqipërinë në gjendje të mirë, dhe ka theksuar që edhe Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e pandarë e shtetit tonë.
Jashari në KTV ka kujtuar të kaluarën e mirëkuptimit fetar shqiptarë dhe ka kërkuar që feja të mos shkaktoj ndarje.
“Po e marrim një shembull. Nëse Skënderbeu ka qenë katolik dhe Ademi mysliman. Cili ka qenë qëllimi i tyre, ata kanë pas qëllimin ta çlirojnë vendin dhe kanë luftuar për liri. Asnjëri nuk ka luftuar për fe” ka thënë Jashari.
Sa i përket demokratizimit të shoqërisë shqiptare Jashari ka deklaruar se së pari duhet kuptuar demokracia.
“Nëse unë them ndonjë të pa vërtet, duhet të jap përgjegjësi para familjes dhe shoqërisë. Politikani nuk është për ta bërë historinë, por është për ti shërbyer vendit dhe për ti kryer obligimet që i ka ndaj vendit” ka thënë Jashari.
Ai ka vënë në pikëpyetje epilogun e dialogut politik.
“Ka mundësi nga këto bisedime të ketë lëshime edhe për veriun e Kosovës” ka thënë Jashari.
Sipas tij gjërat nuk janë analizuar mirë pasi projekti i normalizimit të marrëdhënieve më Serbinë nuk është projekt i qeverisë së Kosovës por i Bashkësisë Ndërkombëtare dhe se fillimisht Serbia duhet kërkuar falje.
Sa u përket kundërshtimeve të Vetëvendosjes kundrejt dialogut me Serbinë, Jashari ka thënë se VV i bënë gjërat ashtu siç i sheh dhe se nuk pajtohet me veprimet e tyre ndaj institucioneve të vendit.
“ Në asnjë mënyrë nuk bënë të sulmohen institucionet. Këto institucione janë të shenjta, për to është derdhur shumë gjak”, ka thënë Jashari./Indeksonline/