Prodhuesi shqiptar i qumështit nuk i pranon vlerësimet e AUV-it

Pas embargos për t’u shitur në tregun e Kosovës edhe qumështi i dy prodhuesve nga Shqipëria, ka reaguar “Primalat”, njëra prej kompanive të bllokuara.
Sipas “Primalat", produkti i tyre është shume i garantuar ndërsa këtë akt të palës kosovare e sheh si masë diskriminuese kundër konkurrencës së lirë. Ministria shqiptare e Bujqësisë deklaron se nga kontrollet e deritanishme nuk janë konstatuar substanca të rrezikshme në produktet shqiptare.
Drejtues të kompanisë “Primalat” reaguan për “News24” duke e cilësuar vendimin e Agjencisë Kosovarë të Ushqimit si një luftë me motive konkurrence nga ana e palës kosovare dhe paralajmëruan hapjen e një procesi gjyqësor ndaj AUV-së.
Drejtori i prodhimit në kompaninë ‘Primalat’, Vigan Dervishi, deklaroi se qumështi që prodhohet në këtë kompani është i garantuar dhe i kontrolluar në laboratorët më të njohur. Sipas zotit Dervishi, vendimi i Agjencisë kosovarë është i pamenduar dhe tendencioz, pasi analizat e bëra nga kjo agjenci mund të kenë probleme.
“‘Primalat’ prodhon qumësht me teknologjinë më të përparuar të kohës. Ne bashkëpunojmë me fermerët tanë për të prodhuar qumësht të kontrolluar. Analizat e qumështit janë të certifikuara në laboratorë të njohur. Me sa di unë agjencia kosovare e ka ndaluar përkohësisht qumështin, pasi ne do të paraqesim analizat tona të cilat janë perfekte. Qumështi “Primalat’ është tërësisht i garantuar. Nuk kemi patur asnjëherë probleme. Më duket shumë i shpejtuar dhe i pamatur reagimi i agjencisë kosovare.”- deklaroi Dervishi.
Sipas kompanisë shqiptare, përplasjet me tregun kosovar janë të hershme dhe kanë shkuar deri në zyrtarët e lartë të këtij vendi, të cilët mbrojnë interesa klienteliste me prodhues konkurrentë nga Kosova.
Drejtuesit e kompanisë primalat sigurojnë konsumatorin shqiptar se qumështi me këtë emër është shumë i sigurt, i certifikuar mbi baza normash dhe standardesh ndërkombëtare, i prodhuar në një laborator modern, ndërkohë që seleksionohet dhe kontrollohet përditë.
Drejtori i prodhimit të “Primalat”, Vigan Dervishi shpjegon se çdo produkt bulmeti ka një përmbajtje të lejuar aflatoksine dhe në standardet ndërkombëtare të cilësisë kjo duhet të jetë deri 0.50 mikrogram për kilogram. Pra nëse në analizat kosovare flitet për pozitivitet të aflatoksinës, kjo nuk do të thotë se kjo është e ndaluar.
Edhe Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë reagoi pas vendimit të Agjencisë Kosovare të Ushqimit për bllokimin e përkohshëm të disa lloje qumështi të prodhuara në Shqipëri. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Ministria e Bujqësisë sqaron se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri ka marrë me urgjencë mostra të llojeve të qumështit që dyshohet se kanë përmbajtje Alfatoksine dhe që janë bllokuar në Kosovë dhe shumë shpejt do të publikojë përgjigjet e analizave.
Ministria e Bujqësisë bën me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë kontrolle periodike apo dhe të befasishme te prodhuesit dhe importuesit e qumështit, të cilët i nënshtrohen analizave dhe në kontrollet e bëra në të shkuarën nuk ka rezultuar përmbajtja e Alfatoksinës. Çdo produkt që del nga njësitë e prodhimit në treg, apo hyn në Shqipëri nga subjekte importuese shoqërohet me certifikatat e nevojshme veterinare.
Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) e Shqipërisë bëri të ditur se ka ngritur një grup pune i cili po punon për të verifikuar vërtetësinë e lajmit të përhapur në media për bllokimin në Kosovë të qumështit të prodhuar në Shqipëri dhe për të marre masat e duhura për të garantuar sigurinë ushqimore.
“Nga ana e grupit të punës do të merren mostrat për analiza të partive të qumështit, të cilat sipas lajmit janë të kontanimuara dhe shumë shpejt do të japë një deklaratë publike për këtë çështje.”- njoftoi AKU./Indeksonline/