Produktet me hormone, rrezikohemi edhe nga frutat dhe perimet e stinës
Specialistët: Fermerët abuzojnë me pesticidet, ja si dallohen produktet me hormone
Pas qumështit dhe mishit edhe frutat dhe perimet duket se përmbajnë sasi të larta hormonesh. Shqetësimi ngrihet nga Shoqata e Mbrojtjes së Tregut, kryetari i së cilës Alfred Bozhaqi ka pohuar dje në media se përdorimi pa kriter i hormoneve, përbën jo vetëm rrezik për shëndetin e qytetarëve, por shkakton edhe një dëm ekonomik për vetë tregtarët, pasi malli nuk shitet dhe kalbet.
Hormonet
Specialistët deklarojnë se përdorimi i produkteve me OMGJ ndikon negativisht edhe vetë tregun. Kreu i shoqatës së mbrojtjes së tregut dhe tregtarëve, Alfred Bozhaqi tha dje se tashmë është shkelur çdo kriter i përdorimit të hormoneve në produktet bujqësore dhe se në shtimin e përdorimit të tyre ka ndikuar edhe rritja e nivelit të eksportit. Krahas anëve pozitive të tyre, siç është për shembull hapja e tregut shqiptar në tregun e Kosovës, përmirësimi i bilancit eksport-import, ka sjell edhe të këqija, të cilat konsistojnë në faktin e hormoneve. Ato duhet të përdoren, por duhet të përdoren në masën e caktuar. Sa është kjo masë, atë e dinë specialistët. A e zbaton fermeri këtë masë? Unë mendoj që jo. Përdorimi është bërë kaq i gjerë sa që me të vërtetë mund të cilësohet stina e hormoneve, deklaroi Bozhaqi.
Si dallohen
Ndërkaq, Bozhaqi rrëfen edhe disa nga tiparet kryesore të produkteve bujqësore me hormone. Kemi deformime, gunga, majuca të ndryshme. Kemi të çara në sipërfaqe, boshllëqe të cilat gjenden brenda frutit, zgavra, fryrje. Është sasia e hormoneve ajo që sjell këto dëmtime. Këshilla jonë do të ishte që dhe konsumatorët, nëse shikojnë të tilla fruta, ata mund të veprojnë si të duan, por këshilla është që nuk duhet ti përdorin, shprehet Bozhaqi.
Dëmi ekonomik
Përdorimi i hormoneve në produktet bujqësore ka sjellë në shumë raste edhe dëm ekonomik tek fermerët, pasi shpesh sasi të mëdha frutash apo perimesh mbeten stok, duke përfunduar të kalbura. Shoqata e mbrojtjes së tregut dhe tregtarëve kërkon që kjo lloj humbje të njihet në bilance nga Ministria e Financave.