E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me grushte në spitalin e Tiranës, familjarë rrahin rojën e Onkologjikut

Konflikti lindi për radhët në skaner. Një familje nga Fieri u bë shkak për sherrin. Reagon Drejtoria e QSUT-së: Mjekët iu shërbejnë njëlloj qytetarëve

radhettttttttttFamiljarët e një pacienteje nga Fieri kanë qëlluar me grushte rojën e spitalit të Onkologjikut në QSUT. Konflikti ka lindur paradite e djeshme rreth orës 13:30 ndërsa pacientët ishin vendosur në radhë për të bërë skanerin. Roja i ka kërkuar njërës prej pacienteve (që vinte nga Fieri) dhe familjarëve të saj që të respektonin procedurën dhe radhën që kërkon spitali, por menjëherë ka hasur në kundërshtimin e tyre, në fillim më fjalë dhe pastaj me grushte.
Sherri
Nisur nga radha e gjatë që është krijuar brenda pavijonit dhe emergjenca e tyre për të hyrë te mjeku pa rregull, roja ka ndërhyrë dhe ka kërkuar nxjerrjen jashtë të familjes nga Fieri, e cila kërkonte të bënte skanerin, edhe pse nuk e zotëronte një rekomandim nga mjeku i rrethit. Por kaq ka mjaftuar për familjarët e pacientes që priste të kryente skaner dhe ata kanë reaguar menjëherë. Në fillim personat kanë debatuar me fjalë në ambientet e brendshme të spitalit të Onkologjikut, më pas kanë dalë jashtë për tu sqaruar. Familjarët dhe roja kanë shkëmbyer fjalë që kanë degjeneruar në ofendime për të përfunduar në një sherr me grushte, jashtë ambienteve te Onkologjikut. Më pas në ndihmë të rojës kanë ardhur edhe familjarë të tij, që iu kanë kthyer grushtet familjarëve të pacientes.
Policia
Menjëherë në spital ka mbërritur policia e cila ka shoqëruar në rajon të dyja familjet për të dhënë  deklarimet përkatëse. Roja ka treguar për policinë se familja nga Fieri nuk ka pasur një dokument nga mjeku i rrethit që e rekomandonte të kryente skaner në këtë spital të QSUT-së. Sipas rojës, familja duhet të paraqitej me këtë dokument në Onkologjik, dhe më pas të kërkonte të merrte shërbimet përkatëse.
Reagon drejtoria
Pas kësaj ngjarje aspak të këndshme ka reaguar edhe vetë drejtoria e QSUT-së, e cila iu ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të veprojë me rreptësinë e ligjit, lidhur me ngjarjen në fjalë. Ndërkohë Drejtoria e Spitalit iu është drejtuar me një apel të gjithë pacientëve dhe qytetarëve të tjerë duke iu thënë se mjekët u shërbejnë të gjithë pacientëve që drejtohen në këtë spital, në mënyrë të barabartë.
Rastet e dhunës
Ky nuk është rasti i parë kur në spitalet publike të vendit tonë ushtrohet dhunë ndaj mjekëve apo kundrejt personelit tjetër spitalor. Nisur nga rastet e shumta të ndodhura vitet e fundit, të cilat kanë degjeneruar deri në përdorimin e armëve, dhe rrezikun e jetës së bluzave të bardha, mjekët janë ngritur në protesta duke kërkuar nga shteti siguri në punë. Por përsëritja e rasteve të tilla, tregon se asnjë masë shtesë nuk është marrë nga shteti.
Shërbimet spitalore
Rasti i djeshëm vjen edhe si pasojë e mungesës së kushteve spitalore dhe funksionimit të një pavijoni të tërë vetëm me një skaner. Një situatë e tillë bëhet shkak për lindjen e konflikteve të tilla që rrezikojnë seriozisht jetën e njerëzve. Shumica e spitaleve në rrethe vuajnë mungesën e skanerit dhe aparaturave të tjera të rëndësishme për shëndetin tonë, çka i detyron shqiptarët të dynden të gjithë në Tiranë për analiza të specifikuara mjekësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›