E Diel, 1 Nëntor 2026

Produktet natyrale të Shqipërisë në “Organic & Natural Expo Dubai”

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Shqipëria është pjesëmarrëse në panairin ndërkombëtar “Organic & Natural Expo Dubai”, një nga ekspozitat më të rëndësishme botërore për produktet organike dhe natyrore.

Gjatë ditës së parë të aktivitetit, stenda shqiptare mirëpriti Marwan Ahmed Bin Ghalita, drejtor i përgjithshëm i bashkisë së Dubait, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Emiratit dhe i Këshillit Suprem të Energjisë.

Vizita e tij vlerësohet nga Agjencia për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) si një sinjal i qartë i interesit të lartë të institucioneve të Emirateve të Bashkuara Arabe për produktet shqiptare dhe për përpjekjet e Shqipërisë në promovimin e tyre.

Sipas AIDA-s, pjesëmarrja në këtë ekspo është rezultat i punës së koordinuar midis Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe vetë Agjencisë, me synim rritjen e mundësive të eksportit dhe hapjen e tregjeve të reja për bizneset shqiptare.

Produktet shqiptare organike përfshirë vajin e ullirit, çajrat, lëngjet, ujin natyral dhe bimët mjekësore që po tërheqin vëmendjen e vizitorëve dhe blerësve ndërkombëtarë, duke treguar potencialin e fortë të markës “Made in Albania” në tregjet globale.

Panairi “Organic & Natural Expo Dubai” vijon edhe në ditët në vijim, ndërsa delegacioni shqiptar synon të zhvillojë takime me blerës dhe distributorë të interesuar për produktet bio dhe natyrore të vendit.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›