Islami: Berisha po luan me dy porta për Presidentin
PS i kërkon Kryeministrit që të sqarojë pozicionin e vet, në lidhje me paketën e amendimeve kushtetuese
Partia Socialiste i kërkon kryeministrit Sali Berisha, të sqarojë publikisht qëndrimin e tij për paketën e amendamenteve kushtetuese. Një ditë pasi Komisioni i Ligjeve miratoi në tërësinë e vet projektligjin "Për disa ndryshime në Kushtetutë" socialistët i bëjnë apel Kryeministrit, të angazhohet maksimalisht për miratimin e tyre në Parlament dhe të heqë dorë nga mëdyshja lidhur me amendamentin shtesë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami, në një komunikim të posaçëm për mediat, ka shprehur shqetësimin që kanë socialistët në lidhje me lëkundjet që ka shprehur ditët e fundit lideri i mazhorancës për çështjen e zgjedhjes së presidentit. "Nisma e negociuar në mënyrë transparente në Komisionin e Ligjeve, në fund të procesit, fatkeqësisht u çiftua me dyzimin e PD për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ky dyzim ka krijuar perceptimin dhe dyshimin se prapa këtyre mosmarrëveshje midis grupimeve të ndryshme në PD qëndrojnë hilet e politikës së vjetër, që kërkojnë të hedhin në erë këtë paketë amendimesh dhe më konkretisht e kryesisht, reformën zgjedhore", - u shpreh Islami. Nisur nga ky fakt, selia rozë sqaron se, ishte pikërisht PD ajo që këmbënguli në variantin e zgjedhjes së presidentit përmes procedurave parlamentare, prandaj është e papranueshme një ndryshim qëndrimi, larg konsensusit të arritur paraprakisht për paketën e ndryshimeve kushtetuese. "Ishte PD që këmbënguli në variantin e miratuar në Komisionin kuvendor të Ligjeve, ndërkohë që një grupi tjetër i PD-së doli me një propozim tjetër. Jam këtu sot, para jush, për t'i kërkuar Kryeministrit dhe kryetarit të maxhorancës aktuale: Të shprehet qartë kundër këtij dyzimi, për të hequr çdo lloj dyshimi qe Ai vetë ndodhet prapa kësaj shfaqjeje joserioze ku PD luan me dy porta dhe që, në thelb, do të prishte vendimmarrjen e konsensusin e arritur dhe do të hidhte në erë reformën zgjedhore",- u shpreh Islami. Prandaj, ka theksuar ai, Berisha të artikulojë qartësisht qëndrimin e angazhimin e PD-së e të maxhorancës që drejton, për të miratuar të gjithë amendimet e miratuara me konsensus në Komisionin e Ligjeve, veçanërisht ato që lidhen me nismën e PS-së për sistemin zgjedhor.