Profesionet e lira do të paguajnë TVSH
Sikurse ishte paralajmëruar, qeveria vendosi dje të fusë në skemën e pagesës së TVSH-së edhe profesionet e lira. Bëhet fjalë për një shtesë në vendimin e datës 21 tetor 2009, “Për përcaktimin e kufirit minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, sipas së cilës profesionet e lira do të paguajnë TVSH, në rast se kalojnë xhiron vjetore 2 milionë lekë (të reja). Propozimi erdhi nga ministri i Financave dhe lidhet me reformën e re të zgjerimit të skemës së TVSH-së, e cila në fillim u aplikua te bizneset e vogla me xhiro vjetore 5 milionë lekë.
“Për tatimpaguesit që ofrojnë shërbime në veprimtaritë e mëposhtme, kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të jetë 2000000 lekë për vit kalendarik”, ishte shtesa e VKM-së, miratuar dje nga qeveria. Sipas vendimit, profesione të lira konsiderohen avokatët, noterët, mjekët, dentistët, farmacistët, veterinerët, arkitektët, inxhinierët, ekonomistët, ekspertët kontabël etj. Me futjen në skemën e re të pagesës së TVSH-së, shërbimet e këtyre profesioneve do të kushtojnë më shtrenjtë, duke rënduar më tej xhepin e taksapaguesve, pasi shtesa e taksës shkarkohet direkt te konsumatori.
Reforma e nisur nga qeveria për t’i futur të gjitha bizneset me TVSH, lidhet me mbylljen e zinxhirit të pagesës dhe pranimit të faturës, që sot në ekonominë tonë nuk është shumë e përhapur. Ai që mbetet për t’u sqaruar është fakti nëse bizneset e profesioneve të lira do të përfshihen në procesin e instalimin e kasave, pasi tashmë, për çdo shërbim që do të ofrojnë, duhet të lëshojnë faturë. Xhiroja vjetore prej 2 milionë lekësh e këtyre profesioneve nuk është e vështirë për t’u kaluar, e në këtë pikë praktikisht qeveria i ka futur të gjithë në skemë.
#