Balla i përgjigjet akuzave të opozitës: Vota e diasporës do ta thajë përfundimisht kënetën

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka reaguar ndaj asaj që e cilëson si “fushatë dezinformuese” të Partisë Demokratike për votën e shqiptarëve jashtë vendit, ndërsa ka dhënë një mesazh drejtuar shqiptarëve në mbarë botën.
“Forca shqiptarët e Greqisë, Italisë, Gjermanisë, Anglisë, Amerikës e kudo në botë! Për fatin europian të kombit tonë, për Shqipërinë 2030 në BE, për pasaportën tuaj europiane kuqezi, për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, që i dhamë dinjitetin e munguar flamurit dhe emrit shqiptar jashtë kufijve, e që bashkë me ju do t’i japim Shqipërisë statusin e qytetarisë europiane, si anëtarë më në fund të barabartë të Shteteve të Bashkuara të Europës,” u shpreh Balla në një postim në rrjete sociale.
Ai akuzoi opozitën se po përpiqet të pengojë procesin e votimit të diasporës përmes propagandës dhe lajmeve të rreme.
“Këneta nuk e ka dashur kurrë votën e diasporës dhe ka bërë gjithçka për ta penguar realizimin e këtij momenti historik, kur shqiptarët anembanë botës po dërgojnë me postë votëbesimin e tyre për drejtimin e Shqipërisë”, theksoi Balla.
Sipas tij, “është e qartë se filmi i parë shumë herë për mosnjohjen e zgjedhjeve, këtë herë po xhirohet edhe me votën e diasporës”.
Ai i bëri thirrje shqiptarëve jashtë vendit të mos dekurajohen, por të vazhdojnë të dërgojnë zarfin me fletën e votimit.
“Ndërsa të gjithë duhet t’i bëjmë thirrje të nisin zarfat me fletët e votimit, këneta synon që përmes dezinformimit të dekurajojë diasporën. Por vota e diasporës dhe këtu brenda në Shqipëri do ta thajë përfundimisht kënetën, megjithë buf, bretkosa, gjarpërinj e çfarëdo që ka brenda”, përfundoi Balla. /j.p/