E Diel, 1 Nëntor 2026

Profil i vrasësit të shtatëfishtë në Francë

Para vrasjeve në Toluzë dhe Montauban, Merah ishte i njohur për autoritetet franceze pasi kishte kryer disa krime të klasifikuara si jo terroriste.

Policia franceze e ka rrethuar atë në një pallat në Toluzë pas sulmeve, në të cilat humbën jetën tre ushtarë francezë një rabin dhe tre fëmijë hebrej.

Sipas deklaratave të zyrtarëve francezë të cituar nga “BBC”-ja, ai ka thënë se është hakmarrë për vrasjen e fëmijëve palestinezë dhe për operacionet e ushtrisë franceze jashtë vendit. Ai e ka përshkruar veten e tij si një anëtar të Al-Kaedës.

Policia franceze thotë se Merah ishte arrestuar më parë në qytetin afgan të Kandaharit, për shkelje të ligjeve në ish-bastionin e talebanëve.

Sipas ministrit francez të Punëve të Brendshme, Claude Gueant, i dyshuari kishte bërë udhëtime në Afganistan dhe Pakistan.

Një gazetar nga televizioni francez “France 24” raportohet se i ka telefonuar të dyshuarit mbrëmjen e djeshme. Vrasësi i akuzuar i ka thënë gazetarit se i kishte filmuar vrasjet dhe se së shpejti do të postohen në internet. Ky raportim nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur, shkruan “BBC”.

“Le Figaro” shkruan se i akuzuari është nga Toluza dhe se është një kriminel i njohur  në këtë zonë për shkak të disa krimeve të dhunshme. Ende nuk është publikuar asnjë foto e Merahut.

Ndërsa një komshi e përshkruan atë si një person të qetë që kurrë nuk ka bërë diçka për t’u veçuar. Ai raportohet të ketë vizituar Pakistanin dy herë në vitin 2010 dhe 2011 dhe është arrestuar në Kandahar në fund të vitit 2010.

Pas dy sulmeve të parë në Toluzë dhe Montauban, ai është vënë nën vëzhgimin e shërbimit të brendshëm inteligjent të Francës, DCRI.

Prova e parë e rëndësishme që ka çuar në zbulimin e autorit të vrasjeve besohet të ketë qenë një e-mail që Merah i ka dërguar viktimës së tij të parë, i cili kishte nxjerrë një reklamë në internet për shitjen e një motori.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2012-03-21 12:14
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›