E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progni: Fitojmë në Tiranë, pastaj mrekullia tjetër

Mrekullia ka ndodhur, por kuksianët janë gati edhe për një tjetër. Këtë e pranon edhe mesfushori i ekipit të Kukësit, Gerhard Progni, i cili beson se të paktën në Tiranë ndaj Metalurgut mund të merret një rezultat pozitiv, duke llogaritur fitoren, çka do t'i jepte mundësi reale Kukësit të bënte mrekullinë tjetër, të shkonte në "play-off" të Ligës së Europës, duke kaluar tre ture në këtë kompeticion. "Kur kaluam Flora Talinin, menduam se tani luajmë për qejf, por kur kaluam edhe Sarajevon, po ju them se tani besojmë edhe më shumë, fundja nuk kemi çfarë të humbim. Në ndeshjen e parë në Tiranë kundër Metalurg Donjeckut do të përpiqemi të japim akoma më shumë, pse jo, ta fitojmë ndeshjen. Futbolli nuk matet me financa, por me atë çfarë jep në fushë. Personalisht besoj se ka ardhur momenti të shënoj një tjetër gol, edhe pse në fakt unë shënoj në transfertë. Por më e rëndësishme është fitorja. Për një gjë jam i sigurt, Kukësi nuk do të turpërohet duke pësuar një thes me gola, flas për të dyja ndeshjet me ukrainasit. Përkundrazi, do të tentojmë ta kalojmë edhe këtë tur", - tha Progni. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›