E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrojeni Nexhmije Hoxhën

ERALD KAPRI

Shoqja Nexhmije, të ndoqa me interes në intervistën që dhe për Janush Bugajskin dhe më lër të të uroj. Je një lojtare e mirë. Ska si të jetë ndryshe për një pushtetare jetëgjatë si ti.  Por, ndryshe nga ata ish-të përndjekur politikë që donin të protestonin para shtëpisë tënde duke të shprehur revoltën e tyre legjitime, unë të mëshiroj. Je për të ardhur keq. Ashtu siç the edhe vetë, stë ka mbetur gjë në jetë, vetëm një pension 250 dollarë, një banesë të huazuar dhe kujtimet haluçinante të ish-bashkëshortit tënd dhëmbëflorinjtë, të cilit me siguri ia ruan ende dekoratat që i jepte vetes, përderisa shteti nuk ia ka hequr akoma atij heroi. Të mëshiroj sepse nuk dite të kërkoje të falur, ndonëse gazetarët që ke pasur përballë të kanë lënë të flasësh çfarë të duash e si ta duash. Të mëshiroj sepse e di që nuk kërkon atë që humbe, por kërkon që mos harrohesh, e këtu ty të dhemb.
Për ty çfarë nuk thuhet e çfarë nuk shkruhet, por mezi pret ti lexosh vetë ato. Stë ka mbetur shoqe, moj e uruar, se ca shoqe lufte që i pate i mbyte me duart e tua dhe anëtarët e familjes të shahen e pështyjnë njëri-tjetrin publikisht. Deshe të ishe mëkëmbësja e shalëgjatit tënd, shërbëtorja e përulur e Perëndisë, e dhembshura, nëna, por që të humbën edhe këto. Të vlon përbrenda kur e mendon se të përmbysën bijtë e atyre që rrite ndër vite, jo ata të klasave të përmbysura, se ata i kishte syrgjynosur, burgosur, internuar, lënë pa shkollë e skllavëruar në kooperativa e miniera. E sigurisht që ata janë ordinerë, se ata të mirët i hëngrët që në fillim dhe kur skishte mbetur gjë tjetër, hëngrët kokat tuaja.
Edhe sot ke qejf të ngresh pak pluhur harrese duke mos përtuar të thuash çtë duash. Nëse pret që edhe unë si ish-klasë e përmbysur të vij e të të shaj nga poshtë shtëpisë tënde, të ulërij, të bërtas për jetën e të parëve të mi të pafajshëm, e ke gabim. Nuk e bëj. Të mitë humbën jetën për ideal dhe atë më trashëguan edhe mua. Për këtë ndihem krenar. Por, të sillem siç do ti, këtë nuk e bëj. Nëse pret të të urrej, më vjen keq, por nuk e bëj dot. Të mëshiroj ty, por edhe ata ish-të përndjekur që vuajnë ende nga farat që mbolle ti. Shumë prej tyre mendojnë ende si ty, se të shkretët dergjen nga mosdija, poshtërimi e vuajtja që u le ti. Nuk gjejnë dot forcën brenda vetes për të ecur para nga plagët që iu latë ju. E nëse pret të mendoj njësoj si ty, edhe në kah të kundërt, nuk do ta bëj. Besoj te të parët e mi që me qetësi pritën vdekjen nga dora juaj, duke besuar në ideal, drejtësi.
Se mos do të të falin?! Në fakt, edhe ti nuk e do një gjë të tillë. Për ty falja është dobësi, një moment që duhej të ndodhte publikisht para se të çonit ndokënd para grykës së pushkës. Shkurt, moj Nexhmije, të kuptoj shumë mirë. Por, ata për të cilët i bëj këta pak rreshta, nuk kuptojnë dot. Shpresoj që të kuptojnë vetëm një gjë. Sa herë që ti të hedhësh hi, të mos reagojnë. Sa herë që të ankohesh, mos të ta vënë veshin. Edhe sa herë të ngurrosh të kërkosh falje, të të injorojnë. Nëse i bëjnë këto, atëherë ke marrë fund. Me shpresën që ndokush do të më japë të drejtë, ta uroj këtë agoni e jetë të gjatë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›