Program edukativ për nxënësit e shkollave të mesme në muzeun “Shtëpia me gjethe”

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Punëtoria “Mbresa”, një program edukativ dhe artistik javor kushtuar nxënësve të shkollave të mesme, është duke u zhvilluar nga Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”.
Kësaj here ka qenë radha e nxënësve të shkollës së mesme “Sadik Stavileci” që të merrnin pjesë në punëtorinë “Mbresa”. Pasi vizituan muzeun, ata u ftuan të shprehin përshtypjet e tyre në gjininë artistike që parapëlqejnë.
Programi përmban një konkurs në arte pamore (pikturë, skulpturë, instalacion), në krijim letrar (ese, poezi etj.), në muzikë (melodi, këngë), si edhe në risi teknologjike.
Disa nga objektivat e këtij programi janë: përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese/edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe me veprimtarinë represive të ish-Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare, promovimi i talenteve të reja, etj.
Nxënësit pasi vizitojnë muzeun, në bazë të ndjesive të përftuara krijojnë në njërin nga zhanret artistike. Punimet e tyre më pas dorëzohen në muze brenda 15 ditësh që nga vizita. Më pas, ato ekspozohen për rreth dy javë në faqen e Facebook-ut të “Shtëpisë me gjethe” dhe krijimi që merr më shumë pëlqime vlerësohet me çmim të veçantë.
Juria e përbërë nga specialistë të fushës vlerëson punimet më të mira. Është parashikuar që krijimet më të mira të vlerësohen me një dhuratë simbolike si dhe të bëhen pjesë e një katalogu.
Muzeu “Shtëpia me gjethe” ftoi përmes një publikimi në rrjetet sociale, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të mesme, të bëhen pjesë e këtij projekti.
1 nga 5/r.e/a.f/