E Diel, 1 Nëntor 2026

HAPËSIRË – ”Blue Origin” nis misionin e NASA-s drejt Marsit

CAPE CANAVERAL (Florida), 14 nëntor /ATSH-AFP / – Kompania e  miliarderit Jeff Bezos, ”Blue Origin” nisi mbrëmë me sukses raketën ”New Glenn”, me dy anije kozmike binjake të NASA-s me destinacion Marsin.

Hapja e misionit ishte shtyrë për disa ditë për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, si në Tokë ashtu edhe në hapësirë.

Por, pritja ia vlejti.

Në fluturimin e dytë të “New Glenn”, kompania arriti të rikuperojë me sukses fazën e parë të raketës.

Gëzimi shpërtheu në Cape Canaveral, ndërsa  booster-i u ul me finesë mbi një platformë lundruese.

Deri më tani, vetëm kompania e Elon Musk, “SpaceX”, kishte realizuar një manovër të tillë me një raketë të klasës orbitale.

Kjo arritje vjen në një moment rivaliteti të ndezur mes dy gjigantëve të hapësirës, pasi NASA ka hapur garën për misionet e radhës drejt Hënës.

Raketa 98 metra e gjatë ka misionin të dërgojë anijet binjake “ESCAPADE” drejt Marsit, për të studiuar historikun klimatik të Planetit të Kuq, duke hapur rrugën për eksplorim të ardhshëm njerëzor.

Ovacione shpërthyen sërish kur anijet u shkëputën me sukses nga raketa./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›