E Hënë, 2 Nëntor 2026

Program kombëtar për grumbullimin dhe menaxhimin e të dhënave në peshkim dhe akuakulturë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi programin kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit e të akuakulturës dhe përmbajtjen e programeve të kampionimit shumëvjeçar të kërkimit shkencor në det.

Vendimi përcakton rregullat për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave biologjike, mjedisore, teknike e socio-ekonomike në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës.

Programi shumëvjeçar përcakton listën e detajuar të të dhënave, listën e fushatave kërkimore detare të detyrueshme dhe pragjet minimale për grumbullimin e të dhënave dhe kryerjen e fushatave kërkimore në det.

Të dhënat përfshijnë informacion mbi stoqet e peshkut, ndikimin e peshkimit në ekosistemin detar, aktivitetin e anijeve të peshkimit, kapacitetin e flotës, si dhe të dhëna socio-ekonomike për peshkimin, akuakulturën dhe sektorin e përpunimit të produkteve të peshkimit.

Sipas vendimit, të dhënat do të mblidhen në kuadër të një plani kombëtar pune, ndërsa Komiteti për Koordinimin e Kërkimit Shkencor, Teknik dhe Ekonomik do të vlerësojë planet kombëtare dhe projektplanet e punës.

Vendimi parashikon gjithashtu caktimin e një koordinatori kombëtar për grumbullimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, si dhe ruajtjen e të dhënave primare në regjistra elektronikë dhe marrjen e masave për mbrojtjen e tyre.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›