E Diel, 1 Nëntor 2026

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional, 18 mijë mësues të trajnuar

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar bëri të ditur sot se 18 mijë mësues janë trajnuar deri tani në kuadër të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional 2026.

Në bashkëpunim me universitetet publike, ASCAP vijon të mbështesë zhvillimin profesional të mësuesve dhe rritjen e cilësisë në arsim.

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional 2026 synon të pajisë mësuesit me metoda të reja pedagogjike, duke nxitur përdorimin e teknologjisë në procesin mësimor dhe duke rritur ndërveprimin me nxënësit.

Trajnimet përfshijnë module të avancuara që lidhen me inovacionin në arsim, zhvillimin e aftësive digjitale dhe përmirësimin e praktikave të mësimdhënies, duke kontribuar në një sistem arsimor më cilësor dhe më të përshtatur me kërkesat e kohës.

Ky program synon rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përshtatjen e saj me zhvillimet bashkëkohore.

Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve është një program i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me universitetet publike, për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm trajnimesh në mbështetje të zhvillimit profesional të mësuesve dhe përmirësimit të cilësisë së arsimit në Shqipëri.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›