E Martë, 3 Nëntor 2026

Kuvendi, 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Andis Harasani

TIRANË, 10 mars/ ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë e nisi sot seancën plenare me një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Andis Harasanit, i cili u nda nga jeta në moshën 54-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ftoi deputetët që të mbajnë një minutë heshtje në nderim të kontributit të tij për vendin.

“Dje është ndarë nga jeta ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Andis Harasani. Andisi ka qenë një profesionit i talentuar, menaxher i aftë dhe i spikatur, një parlamentar aktiv dhe i përkushtuar, i cili u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, në 2005 dhe 2009. Duke i shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve për humbjen e prindit, bashkëshortit, birit dhe vëllait të tyre të dashur, në nderim të kontributit të tij për vendin, ju ftoj që të mbajmë një minutë heshtje”, tha Spiropali.

Për ndarjen nga jeta të ish-deputetit socialist, reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

“Mendoj që aktet e nderimit, duhet të jenë të plota dhe të sinqerta. Harasani i përkiste një plejade politikanësh të rinj, të shkolluar mirë, i kyçur në proceset demokratike që në fillim. Ju e përzutë atë, Rilindja e përzuri atë. E kam nderuar me bindje të plotë për atë që thashë, një politikan që rininë ia kushtoi ndryshimit të Shqipërisë. E kam nderuar se mbeti socialist besnik i atyre parimeve që besonte gjer ditën e fundit, një patriot, një njeri i cili nuk pranoi kurrë të bënte kompromis me të keqen, siç bëtë ju me radhë. Mund t’i kërkoje një ndjesë, e ju garantoj se përveç se përfaqësoj mendimin e Berishës, por mijëra socialistëve që e prisnin këtë nga ju”, tha Berisha.

Kryeparlamentarja Spiropali iu përgjigj “largimi i një njeriut nga kjo botë, s’duhet të jetë objekt i një diskutimi cinik elektoral”.

Deputeti Fatmir Mediu kërkoi që shteti t’i ofrojë ndihmë familjes së ish-deputetit Harasani.

“Ndoshta do të ishte e nevojshme që Ministria e Punëve për Evropën dhe Punët e Jashtme, të interesohet pranë familjes që ky moment të mos kalojë vetëm si moment nderimi, por edhe një moment për të ofruar një ndihmë si shtet shqiptar, për të shprehur në këtë formë respektin, por edhe të tregonim një dimension tjetër në këtë drejtim”, tha Mediu.

Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla tha se nuk duhet të bëjmë politikë me vdekjen.

“Kam në këtë sallë 20 vjet. Kurrë nuk kemi bërë këtë që ndodhi sot mes njëri-tjetrit. Andisin e kam patur dhe e kisha shok, por kurrë s’ka ndodhur kjo që ka ndodhur tani. Edhe propozimi i z.Mediu, faleminderit për këshillat, por gjithmonë këto i kemi bërë mes nesh dhe jo në publik. Kanë ndodhur ngjarje të tjera të rënda, ku kemi qenë gjithnjë bashkë, miq, kolegë, anëtarë të PD, por ne s’do donim kurrë të bënim politikë me vdekjen. Bufi e korbi s’janë larg mes tyre, mund të duken bufi si korb herë pas here, por lejeni familjen të kalojë këtë moment të vështirë. Për çështjet e tjera, bashkë me ministrin e MEPJ, do ju japim çdo informacion tjetër që është i nevojshëm. S’ka ndodhur asnjëherë kjo që po bëni Zot”, tha Balla.

Debate për ish-deputetin e ndarë nga jeta, Andis Harasani 1 nga 5

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›